Tahiri priti në takim ushtruesin e detyrës së shefit të EULEX-it, Bernd Thran

Aktuale

Tahiri priti në takim ushtruesin e detyrës së shefit të EULEX-it, Bernd Thran

Më: 14 korrik 2016 Në ora: 15:20
Pamje nga takimi

Ministrja për dialog, Edita Tahiri, priti sot në takim ushtruesin e detyrës së shefit të Misionit të EULEX-it në Kosovë, Bernd Thran. 
 

Ministrja Tahiri vlerësoi lartë angazhimin e z. Thran në detyrën e mëparshme si ndërmjetësues i Dialogut në Bruksel dhe shprehu bindjen se ai do të jetë i suksesshëm edhe në misionin e tij të ri  në Kosovë.

Ministrja Tahiri tha se puna jonë e përbashkët ka mundësuar që Kosova të konsolidojë institucionet  e veta në veri të vendit, sidomos në fushën e sigurisë dhe policisë, dhe së shpejti do të vendoset sistemi i drejtësisë në mbi 23 fusha tjera publike. Po ashtu, ajo theksoi se po konsolidohet riintegrimi i serbëve nga kjo pjesë dhe tashmë janë shuar strukturat paralele në shumë fusha, si policia, drejtësia, ish mbrojtja civile, doganat etj. MinistrjaTahiri falënderoi ELUEX-in për angazhimin në zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit.

 

Ministrja Tahiri dhe z. Thran vlerësuan lartë bashkëpunimin mes Qeverisë së Kosovës dhe EULEX-it, me qëllim të forcimit të institucioneve të drejtësisë dhe sundimit të ligjit në Kosovë sipas standardeve evropiane. Ata u pajtuan se forcimi i sundimit të rendit dhe ligjit forcon luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit duke krijuar kushte më të mira për një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në të mirë të qytetarëve dhe vendit.

 

Të dy bashkëbiseduesit vlerësuan se dialogu i fqinjësisë së mirë mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e BE-së ka kontribuar në avancimin e rrugës së Kosovës drejt integrimit evropian përmes nënshkrimit të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me BE-në, si dhe vendimi i BE-së për rekomandimin e liberalizimit të vizave.

 

Ushtruesi detyrës së shefit të EULEX-it, Brnd Thran siguroi ministren Tahiri për bashkëpunimin e ngushtë me Qeverinë e Kosovës për të çuar përpara misionin e avancimit të fushës së drejtësisë dhe sundimit të ligjit në përmbushjen e standardeve evropiane. Ai po ashtu vlerësoi lartë dialogun e Brukselit për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, duke theksuar që BE dhe EULEX do të vazhdojnë angazhimin maksimal për zbatimin e marrëveshjeve si dhe theksoi rëndësinë e dialogut për paqe dhe stabilitet në rajon. Ai premtoi vazhdim të angazhimit të tij edhe në rolin e ri të tij në EULEX-it me synim për avancim të mëtutjeshëm të Kosovës drejt BE-së.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat