24 vjet nga rënia e Myrtë Zenelit

Aktuale

24 vjet nga rënia e Myrtë Zenelit

Më: 21 maj 2022 Në ora: 08:32
Myrtë Zeneli

Sot bëhen 24 vite nga rënia e Myrtë Zenelit, njëri ndër luftëtarët më të paepur në trevën e Dukagjinit, që ra dëshmor në luftimet e drejtpërdrejta me armikun gjatë një beteja në Qafë të Dollovës.

Myrtë Zeneli u lind më 11 tetor të vitit 1962 në fshatin Shqiponjë, ish-Jabllanicë. Shkollën fillore e mbaron në fshatin Zhebel, ndërsa shkollën e mesme në Gjakovë.

Myrtë Zeneli merr pjesë aktive në demonstratat që u zhvilluan në vitet 1989-1990, kurdoherë në ballë të tyre. Qysh në tetor të vitit 1995, ai vë kontakt me radhët e grupeve të para ilegale të UÇK-së për Dukagjinin.

Në prill të vitit 1998 komanda e zonës e emëron epror në njësitin sulmues të Dushkajës. Qysh prej asaj kohe Myrtë Zeneli merr pjesë në luftimet e shumta kundër okupatorit në Sukë të Cërmjanit, në Kralan, Jabllanicë, Qeskovë e pika të tjera.

Në Këpuz, në maj të vitit 1998 u zhvilluan luftime ballë për ballë me forcat e policisë dhe të ushtrisë serbe. Në ato përleshje direkte marrin pjesë: Myrtë Zeneli, Agim Zeneli, Naser Brahimaj, Alush Agushi nga Drenoci i Klinës dhe shumë luftëtarë të tjerë.

Beteja kishte qenë vendimtare, ndërsa goditja e helikopterit ushtarak serb nga mitralozi kundërajror dhe rrethimi që iu bë forcave serbe në Qafë të Dollovës, shënojnë kulmin e furisë së luftëtarëve të Dukagjinit kundër barbarisë armike, ndërsa luftës çlirimtare i japin impulse jashtëzakonisht të fuqishme.

Goditja e helikopterit ushtarak, e tipit “Kobra”, shënon fitoren e parë të këtij lloji të luftëtarëve të Dukagjinit kundër forcave ajrore të okupatorit.

Më 21 maj 1998 në luftë kundër forcave të okupatorit, përveç Myrtë Zenelit, Naser Brahimajt e Agim Zenelit me shokë, marrin pjesë edhe Xhelal Hajda, Fadil Nimani, Alush Agushi e shumë trima të tjerë. Po atë ditë Myrtë Zeneli ishte pozicionuar rreth Qafës së Dollovës nga drejtimi i Bokshiqit. Ndërkohë forcave të rrethuara armiku iu vijnë përforcime nga të gjitha anët.

Në luftë për të mos i lëshuar pozicionet e UÇK-së që granatoheshin me armë të rënda të artilerisë, bie dëshmor Myrtë Zeneli, njëri ndër luftëtarët më të paepur në trevën e Dukagjinit.

Në korrik të vitit 1998, me rastin e ristrukturimit të UÇK-së, emrin e dëshmorit Myrtë Zeneli, e merr Brigada 132 e Zonës Operative të Dukagjinit, zonë të cilën e komandoi Ramush Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat