Aliu: Hekurudha Prishtinë-Durrës po e merr rrugën e vet, Kosova qendër e transitit të mallrave

Aktuale

Aliu: Hekurudha Prishtinë-Durrës po e merr rrugën e vet, Kosova qendër e transitit të mallrave

Më: 9 dhjetor 2021 Në ora: 13:43
Liburn Aliu

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka prezantuar projektin për hekurudhën Prishtinë-Durrës. Ai tha se vitin e ardhshëm do të fillojë projekti teknik i hekurudhës, i cili sipas tij do ta vendosë Kosovën në qendër të transitit të mallrave në rajon.

Aliu në një konferencë për medie, tha se kanë ndarë 1 milion euro për studimin e fizibilitetit, i cili do të tregojë trasenë e hekurudhës, koston dhe periudhën e ndërtimit.

Aliu: Hekurudha Prishtinë-Durrës po e merr rrugën e vet

“Ky projekt po e merr rrugën e vet dhe jemi në faza ku mund të fillojmë edhe me hartimin e planit të menaxhimit të saktë i cili përfundon së shpejti dhe do të na jep të qartë aspektin kohor dhe financiar të realizimit të këtij projekti. Si ministri, bashkë me pjesën tjetër të qeverisë në buxhetin për vitin 2022 kemi ndarë mjetet për studimin e fizibilitetit për këtë projekt. Ai do të nxjerrë saktë trasenë, njërin nga variantet për realizimin e kësaj hekurudhe dhe më pastaj me përcaktimin e kësaj traseje dhe pikës se ku lidhet ajo në kufirin ne do të kemi të qartë për detajet e këtij projekti”, tha ai.

Ministri Aliu shtoi se ndërtimi i hekurudhës do ta vendosë Kosovën në nyje të korridoreve hekurudhore dhe automobilistike.

Aliu: Përmes hekurudhës, Kosova nyje e korridoreve hekurudhore dhe automobilistike

“Krijojmë kushte të veçanta për investitorët e huaj. Nëse deri tash investitorëve të huaj në Kosovë vetëm i kemi thënë ejani investoni në Kosovë, tash iu themi ejani se jemi në nyje të korridoreve hekurudhore dhe automobilistike dhe do kenë mundësi të ndërtoni fabrikat e juaja dhe të shpërndani mallrat e juaj qoftë drejt portit të Durrësit, Selanikut, Sofjes apo Evropë”, tha ai.

Këtë projekt, Aliu tha se e ka prezantuar edhe gjatë vizitës në Bruksel për të përfituar fonde për ndërtimin e saj.

Aliu: Në Bruksel kam pasur mundësi të flasë për projektet

“Në Bruksel kam pasur mundësi të flasë për projektet, në hollësi siç po i prezantoj sot jo, por në vija të trasha. Lidhjen me Durrësin, përmes Korridorit të 4 me Korridorin 10 përmes Prishtinës... disponimi i BE-së për ta ndihmuar Kosovën me fondet IPA është i madh dhe jemi ndarë me bindje të mira nga vizita që kemi pasur në Bruksel”, shtoi ai.

Ministri Aliu foli sërish për ndërtimin e autostradës Prizren-Tetovë, ku tha se ende nuk kanë vendosur për cilin variant do të ndërtohet. Por, sipas tij, varianti për tunelin më të gjatë është më i përshtatshmi. Ai përsëriti se edhe magjistralja Prishtinë-Podujevë është në prag të përfundimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat