Ndërpritet seanca për 100 ditët e Qeverisë Kurti 2, ja kur do të vazhdojë

Aktuale

Ndërpritet seanca për 100 ditët e Qeverisë Kurti 2, ja kur do të vazhdojë

Më: 2 gusht 2021 Në ora: 06:29

(E plotësuar: 19:50) - Është ndërprerë seanca e Kuvendit të Kosovës, në cilën po debatohej për punën e Qeverisë Kurti 2 për 100 ditët e para.

Me kërkesë të të gjitha grupeve parlamentare seanca plenare do të vazhdojë punimet nesër në orën 10:00.

Opozita ka pasur kritika për mungesën e kryeministrit Albin Kurti dhe disa nga ministrat ne seancën e sotme.

​​Abdixhiku për raportin 100 ditësh: I thatë dhe dëshpërues

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka deklaruar se raporti i punës për 100 ditët e Qeverisë së Kosovës është i thatë, dëshpërues, por është i vërtetë, pasi pasqyron qeverinë që ka marrë epitetin e qeveri praktikante dhe populiste.

Abdixhiku tha se kjo qeveri e sheh si fakt që Kosova po lulëzon vetëm pse ata janë tashmë në qeveri, pa bërë asgjë tjetër.

Abdixhiku: Është i thatë, është dëshpërues

“Sot kemi para vetës një raport 100 ditësh që sikurse planin qeverisës i prezantuar po ashtu me vonesë është i thatë, është dëshpërues, por është i vërtetë. I vërtetë është, sepse e pasqyron saktë këtë qeveri që tashmë ka marrë epitetin qeveri praktikante dhe populiste. E dëgjuat kryeministrin, një ndër argumentet bazike të tij dhe të raportit 100 ditësh është ajo e performancës së përgjithshme politike, ekonomike, shoqërore, të politikës së jashtme. Kosova sipas tij po merr hov e po lulëzon gjithandej për shkak të disa faktorëve tjerë që nuk i dimë, por kryesori, thelbësori, më i rëndësishmi është vet fakti që këta janë në qeveri. Ky akt si fakt i të qenit në qeveri pa ndonjë masë, se për masa nuk po flitet, mjafton që Kosova të lulëzojë vetvetiu brenda dhe jashtë. Kështu këta e shohin vetën, një ndërrim karrige nga aty këtu dhe Kosova lulëzon, pa bërë asgjë tjetër”, tha ai.

Ai ka pasur kritika për krahasimin e ekonomisë për shtatë muajt e parë të vitit me ata të vitit të kaluar, kur vendi ishte i mbyllur për shkak të pandemisë. Sipas tij, po tentohet që pazotësia e kësaj qeverie të mbulohet me numra.

I pari i LDK-së tha se qeveria Kurti ka ndryshuar qëndrim edhe sa i përket reciprocitetit e dialogut me Serbinë.

Abdixhiku: Për 100 ditë ndryshuat qëndrim në reciprocite

“Për 100 ditë ndryshuat qëndrim në reciprocitet aq shumë sa që kauzën simbolike të bllokave të Serbisë e kapërcyet me lehtësi, ia hoqët tarifën ironikisht produktit të vetëm që e mbanit si simbolikë. Ndryshoni edhe në dialog, pa kushte, pa platformë, pa raportim, e injoroni këtë Kuvend e kështu edhe popullin me mos transparencë, sepse po mendoni nga aty ku jeni nuk keni me zbrite asnjëherë. Dialogun po e përdorni natyrisht për elektrizim të masave këtu, krenoheni çka i ke thënë Serbisë, e vërteta është se çka i thua Serbisë nuk është më punë e madhe këndej, këtë vend Serbisë i kanë bërë edhe rezistencë shoqërore edhe luftë të armatosur patriotët më të mëdhenj të vendit”, tha ai.

Abdixhiku ka kërkuar të dijë se çka është duke bërë qeveria që Kosovën ta nisni përfundimisht në rrugën e lëvizjes së lirë, në rrugën e NATO-s, BE-së e OKB-së.

Sa i përket punësimeve familjare, Abdixhiku tha se po tentohen të mbulohen duke iu referuar 20 viteve të kaluara.

Abdixhku: Për 100 ditë i bëtë të gjitha gjërat që nuk duhet bërë

“Kjo qeveri ka kapur me familjar bordin e Telekomit të Kosovës, bordin e Postës së Kosovës, bordin e Iber-Lepencit, Këshillin Shtetëror të Cilësisë, Odën e Farmacistëve, Universitetin Isa Boletini, Universitetin Haxhi Zeka, Teatrin Kombëtar të Kosovës, Kompaninë rajonale të ujësjellësit Prishtina, e plot trupa të tjerë. Tani çështja është kështu kur punëson motrën, nipin e dajën çfarë dallojnë nga kapësit e deritanishëm, cili është ndryshimi. Kur një anëtar i juaji vendoset drejtor i një ndërmarrje publike, gruan e vendos në departamentin e financave, kunatën në arkiv, e nipin në prokurim ku dalloni ju. Ka 15 vite që flisni me të drejtë që nepotizmi dhe korrupsioni janë probleme të mëdha të ndërmarrjeve publike dhe për 100 ditë i bëtë të gjitha gjërat që nuk duhet bërë. Kur jepni 28 tenderë një burimor nga 33 sosh, kur nënshkruani një kontratë korruptive, korruptive, 5 euro për veturën për ta anuluar pastaj si rezultat i presionit publik, por jo si pasojë e një ndërgjegje të brendshme, ku dalloni ju”, tha ai. 

Hamza i kundërpërgjigjet Kurti për uljen e rasteve me Covid: Veç nëse i keni fry qytetarëve, tjetër s’keni pas çka

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bedri Hamza i është kundërpërgjigjur kryeministrit, Albin Kurti, pas mburrjes së tij për menaxhimin me pandeminë Covid-19.

Ai në seancën plenare, ku po diskutohet për 100 ditëshin e qeverisë Kurti, tha se ulja e rasteve s’ka ardhur si rezultat i ndonjë mase të qeverisë.

Sipas tij, ministri i Shëndetësisë veç nëse u ka fryrë qytetarëve për ulje të rasteve, pasi në mungesë të vaksinave nuk ka pas tjetër çka.

Hamza: Veç t’iu pat fry qytetarëve se tjetër s’ka pas çka

“Kjo nuk ka ardhur si rezultat i ndonjë mase konkrete të qeverisë aktuale. Me gjithë respektin për ministrin e Shëndetësisë, por veç t’iu pat fry qytetarëve të Kosovës se diçka tjetër s’ka pas. Vaksina s’ka pas, por ka pasur vetëm zvogëlim të rasteve në rajon dhe Evropë. Fatkeqësisht tash ka filluar të rritet prapë numri i rasteve”, tha ai.

Ish-ministri i Financave adresoi edhe kritika ndaj Qeverisë Kurti për moszbatimin e ligjit për rimëkëmbje ekonomike.

Hamza: Nuk është duke u zbatuar ligji për rimëkëmbje ekonomike

“Masat në ekonomi, nuk është duke zbatuar as Ligji për rimëkëmbje ekonomike që është detyrim ligjor. Nuk janë duke shpërnda 200 milionë euro granate dhe kontribute financiare për bizneset që janë detyrim ligjor, derisa ligji është në fuqi”, tha ai. 

***

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se qeveria e tij nuk krahasohet me ish qeveritë e kaluara. Në seancën e Kuvendit, ku po diskutohet për 100 ditët e para të tij në ekzekutivi, Kurti tha se gara e tij nuk është me të kaluarën, por me të ardhmen. Sipas tij, këto 100 ditë janë kthesë drejtë zhvillimit.

Para deputetëve, kreu qeveritar ka paraqitur edhe të arriturat, që siç tha janë realizuar në këta muaj qeverise.

Kurti: Qeveria jonë nuk krahasohet me qeveritë e mëparshme

“Qeveria jonë nuk krahasohet me qeveritë e mëparshme, gara jonë po theksojë nuk është me të kaluarën, por të ardhmen. Këto janë ditët e kthesës drejtë zhvillimit”, tha ai.

Sipas tij, nën qeverinë e tij, ka pasur ndryshime pozitive sa i përket zhvillimit ekonomik, derisa paraqiti edhe disa nga shifrat për “ringjallje ekonomike”.

Kurti: Faktori kryesor për rritje ekonomike është besimi i qytetarëve në institucione

“Këto ndryshime pozitive janë rezultat i shumë faktorëve, por s’ka dyshim se rritja e besimit në institucione dhe punën e qeverisë, optimizmi dhe shpresa e qytetarëve për qeverinë e re janë faktorët kryesor. Janë efekte pozitive në ekonomi procesi dhe rezultati i zgjedhjeve në shkurt të këtij viti. Buxheti ka mundësuar dizajnimin e një pako të re që mundëson ringjalljen ekonomike të vendit dhe krijonin bazën për ekonomi të qëndrueshëm për vitet në vijim. Për rritjen ekonomike që e rritë mirëqenien e qytetarëve do të mundësohen 420 milionë euro mbështetje, përmes pakos për ringjallje të vendit. Pako e rendit parasheh kontribut në ekonomi në vlerë prej 1.1 miliard euro”, u shpreh ai.

Krahas kësaj, kreu qeveritar tha se në 100 ditët e para kanë anuluar marrëveshje të dëmshme, tender dhe memorandume të bashkëpunimit me vlerë 100 milionë euro.

Kurti: Nuk do të ndalemi në luftën kundër korrupsionit

“Do të jemi të pakompromis dhe nuk do të ndalemi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar... për 100 ditë anuluam marrëveshje të dëmshme, tender dhe memorandume të bashkëpunimit me vlerë 100 milionë euro. Kemi filluar pastrimin e listave të skemave pensioneve për të parandaluar keqpërdorimet”, shtoi ai.

Kryeministri Kurti është mburrur edhe për menaxhimin me pandeminë Covid-19.

Kurti: Gjejeni një vend tjetër në rajon për ulje kaq të madhe të rasteve të reja me Covid-19

“Situata me pandeminë është përmirësuar dukshëm. Nga muaji mars e deri në muajin qershor kemi ulje për 99 përqind të rasteve të reja. Gjejeni një vend tjetër në rajon ose edhe më gjerë për një ulje kaq të madhe të rasteve të reja”, tha ai. 

***

Partia Demokratike e Kosovës e cila e ka thirrur seancën plenare për 100 ditshin e qeverisë Kurti II, po vlerëson se për këto 100 ditë, Qeveria nuk ka filluar të jetësojë asnjë prej zotimeve për çka e kanë marrë votën e qytetarëve të Kosovës.

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri tha se kjo qeveri fatkeqësisht nuk ka marrë asnjë iniciativë për të realizuar premtimet e saj të dhëna gjatë fushatës zgjedhore.

Tahiri: Asnjëra nga zotimet nuk janë jetësuar

Image

“Fatkeqësisht asnjëra prej këtyre zotimeve nuk i kemi parë që po fillojnë me u jetësuar në kuadër të këtij 100 ditshi, edhe njëherë po them 100 ditshi është një rrugëtim që trason qeverisjen për katër vitet e ardhshme çfarë qeverisje presim kur ato për të cilat u kanë besuar qytetarët e Kosovës asnjë iniciativë nuk e keni ndërmarrë për t’i realizuar këto”, tha ai.

Tahiri derisa i ka renditur shumë nga premtimet e Kurtit në fushatën zgjedhore por edhe që janë të parapara në planin qeverisës, tha se në këto 100 ditë Qeveri nuk u ka dal në ndihmë 60 mijë punëtorëve që humbën vendet e punës si pasojë e pandemisë dhe nuk është ulur niveli i varfërisë ekstreme.

Tahiri: Rreth 60 mijë punëtorë që u lanë të papunë janë të vetmuar

Video“Rreth 60 mijë punëtorë që u lanë të papunë si pasojë e pandemisë janë të vetmuar dhe po gjenden të vetmuar pa asnjë përkrahje nga qeveria e Kosovës, premtuat depolitizim të institucioneve çka ndodhi në këto 100 ditë, në këto 100 ditë pamë se si kjo mazhorancë dhe kjo qeveri është shndërruar në një ndërmarrje të fuqishme për punësime familjare, premtuat që do ndërmerrni vetting në drejtësi, polici dhe inteligjencë, pra këto 100 ditë nuk pamë asgjë, jeni bllokuar tash e dy qeveri me një koncept dokument për vettingun dhe assesi të ecni përpara. Premtuat që nuk do jetë asnjë qytetar në varfëri ekstreme sepse do reformoni skemat sociale dhe do aktivizioni fuqinë punëtore, pra po ua përkujtoj që vitin që lëmë pas 70 mijë qytetarë të Kosovës llogaritet se kanë prekur varfërinë e skajshme, pra në këto 100 ditë asnjë iniciative nuk është ndërmarrë për t’iu ndihmuar këtyre 70 mijë qytetarëve “, tha ai.

Ai tha se si qeveri për këto 100 ditë nuk kanë ndërmarrë asgjë në drejtim të jetësimit të Fondit të Sigurimeve shëndetësore.

Tahiri: Zero iniciativë për sigurimet shëndetësore

”Kjo qeveri pati premtuar që gjatë mandatit të ardhshëm 4 vjeçar do të ndërtoj 160 çerdhe pra për 1mijë e 460 ditë i bie që çdo 9 ditë me u nis nga një çerdhe dhe realisht për këto 100 ditë që kanë kaluar do të duhej së paku 11 prej tyre me fillua me u realizuar dhe çka kemi parë prej këtyre 100 ditëve as gurthemel, as iniciativë, as buxhet asgjë, pra iniciativë e lënë komplet në letër ashtu siç e kanë nisur. E dyta iu premtoj se do ndaj nga 150 euro për familjen që kanë më pak se 5 mijë euro të ardhura vjetore, dhe çka ndodhi gjatë këtij 100 ditshi padyshim që jo, zero…..Erdhen në pushtet me premtimin që do siguroni, ta jetësoni çështjen e sigurimeve shëndetësore në kuadër të këtij 100 ditshi asnjë iniciativë nuk e keni bërë për të jetësuar ligjin pra çështjen e sigurimeve shëndetësore që qytetarët po I presin”, tha ai.

Shefi i GP-së të PDK-së tutja tha se kjo qeveri nuk ka mbajtur premtimin e dhënë për shtimin e 30 instruktorëve shëndetësor.

Tahiri: Nuk keni marrë asnjë iniciativë për shtimin e 30 instruktorëve shëndetësor

“Na thatë se do shtoni 30 instruktorë shëndetësor dhe farmaceotik në këto 100 ditë as edhe një i vetëm nuk filloj me u shtua. Pra, si iniciativë mbet po ashtu në letër, tha se do ofroni 1 mjek për 2 mijë banor në 100 ditë nuk e pamë të diskutohet e lëre më të realizohet. Iu premtuat pensionim të parakohshëm policëve por ky premtim mbeti vetëm në letër në kuadër të këtij 100 ditshi nuk patët kurajo me sjell ligjin për pensionim të parakohshëm të policëve tanë thatë se do e pesëfishoni numrin e inspektorëve u harrua si iniciativë mbeti vetëm në letër në kuadër të këtyre 100 ditëve asnjë iniciativë. Thatë që do kemi grante për bujq grante për gra e për të rinj në kuadër të këtyre 100 ditëve nuk po arrini as obligimet ekzistuese e lërë me ma pas grante për gra e për fëmijët”, theksoi ai.

Tahiri tha se për këto 100 ditë nuk është ndërmarrë asnjë iniciativë ligjore për krijimin e Fondit Sovran dhe Bankës Zhvillimore dhe shuarjen e AKP-së.

Tahiri: Asnjë iniciativë ligjore për themelimin e Fondit Sovran dhe Bankës Zhvillimore

“Premtuat që do e themeloni fondin sovran dhe Bankën Zhvillimore asnjë iniciativë ligjore në kuadër të këtij 100 ditshi as për Fondin Sovran as për Bankën Zhvillimore, thatë se do e shuani AKP-në dhe do e themeloni Agjencinë Zhvillimore pra asnjë iniciativë ligjore për ta shuar AKP-në dhe asgjë në këtë drejtim. Premtuan themelimin e Gjykatës Komerciale një projekt që ua kemi lënë të gatshëm shumë mirë që e sollët dhe ua votuam por asnjë hap nuk e keni bërë as për gjykatën administrative e as për gjykatën e punës të cilat i keni premtuar vetë. Thatë që do e rrisni pagën minimale në 250 euro për 40 orë punë në javë asnjë hap në këtë drejtim”, tha ai.

Tahiri tha se në këto 100 ditë të qeverisë Kurti II nuk është marrë asnjë iniciativë në drejtim të trajnimit të mësimdhënësve ashtu siç ishte proklamuar nga kryeministri, Albin Kurti.

Edhe për shtesat e fëmijëve prej 20 eurosh që ishin premtuar shefi i GP-së të PDK-së, Ableard Tahiri thotë se edhe për këtë iniciativë nuk është ndërmarrë ndonjë veprim konkret.

Zemaj kritikon Qeverinë Kurti: Gjatë 100 ditëve ka treguar vetëm paaftësi

Ish-ministri i Shëndetësisë dhe deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se Qeveria Kurti gjatë 100 ditëve ka treguar vetëm paaftësi.

“Çdo qeveri normale dhe ambicioze për të udhëhequr vendin udhëzues e ka 100 ditshin e parë. Kjo qeveri ka treguar paaftësi në 100 ditëshin e parë, mashtrim dhe retorikë boshe e këtë e tregon edhe raporti”, tha Zemaj në seancën e Kuvendit.

Zemaj theksoi se raporti i Qeverisë prej 51 faqesh – 27 faqe ka fotografi dhe terminologji të thatë dhe mbesin vetëm 12 gjysmë faqe dhe një deklaratë politike.

“27 faqe janë fotografi dhe 12 faqe mbesin tekst dhe një gjysmë deklaratë. Në këto fotografi mungon Goran Rakiqi, Emilja Rexhepi, Fitim Damka, zotëri Krasniqi dhe gjysma e ministrive që s’kanë pasur aktivitet. E gjithë substanca ka të bëjë me qasjen mospërfillëse ndaj Kuvendit, sidomos tek pjesa e ringjalljes ekonomike që janë terma janë ndarë por asnjëherë si janë shpërndarë” ka thënë Zemaj.

Tutje ish-ministri tha se 144 vendime të theksuara në program asnjëra nuk është arsyetuar në këtë raport dhe është e pa strukturuar teksa tregojnë se nuk kanë pasur impakt aspak në jetën e qytetarëve.

​VV: Reforma në sistemin e drejtësisë po jetësohet me Qeverinë Kurti

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi është mburrur me punën e Qeverisë Kurti në 100 ditët e para në ekzekutiv.

Gjatë seancës plenare ku po debatohet për punën e Qeverisë në tremujorin e parë, Rrustemi tha se reforma në sistemin e drejtësisë po jetësohet.

Rrustemi: Shteti i së drejtës dhe sundimi i ligjit janë domosdoshmëri për këtë vend

“Shteti i së drejtës dhe sundimi i ligjit janë domosdoshmëri për këtë vend. Ato po kthehen në prioritet të palëkundur të kësaj qeverie. Reforma në sistemin e drejtësisë ka qenë zotim që po jetësohet. Arritja e një sistemi të drejtësisë me integritet të paanshëm dhe profesional është objektivi ynë që po merr formë dita ditës”, tha Rrustemi.

Sipas tij, nën Qeverinë Kurti, zhvillimi ekonomik dhe progresi shoqëror po ia zënë vendin dëshpërimit kolektiv nga ish-qeveritë e kaluara.

Rrustemi: Garantojmë se zotimet tona për ndryshim do të marrin trajtë përfundimtare

“I garantojmë qytetarëve se zotimet tona për të bërë ndryshimin do të marrin trajtë përfundimtare. Kosova po merr fuqishëm në një shtet të së drejtës, i munguar dhe dëshiruar me ngulm nga qytetarët. Zhvillimi ekonomik dhe progresi shoqëror po ia zënë vendonin dëshpërimit kolektiv nga qeveritë e shkuara”, tha Rrustemi.

Krahas punës së qeverisë, Rrustemi tha se edhe mazhoranca i ka dhënë kuptim mbikëqyrjes parlamentare, duke i thënë fund paligjshmërisë dhe performancës së dobët.

Rrustemi: Si Kuvend po i japim kuptim mbikëqyrjes parlamentare

“Si Kuvend i Republikës, po japim kuptim mbikëqyrjes parlamentare duke i dhënë fund paligjshmërisë, performancës së ulët, keqpërdorimeve të mëdha në agjenci të themeluara nga kuvendi. Kërkimi i llogarisë janë rruga drejtë zhvillimit”, tha Rrustemi.

***

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar propozim-vendimin e Qeverisë së Kosovës për themelimin e institucionit te Operës së Kosovës si institucion i shërbimit publik.

75 deputetë u shprehën pro këtij vendimi, derisa u mbështet edhe nga partitë opozitare.

Kuvendi po vazhdon punimet, ku po diskutohet për 100 ditëshin e Qeverisë Kurti II. 

Dështon zgjedhja e tre anëtarëve të KPM-së

Deputetët nga partia në pushtet që ishin të pranishëm në seancën e sotme plenare kanë dështuar që të zgjedhin tre anëtarët e Bordit të Komisionit të Pavarur të Mediave, pasi shumica nga ata e kanë prishur fletëvotimin duke e bërë atë të pavlefshëm në votimin për zgjedhjen e tre anëtarëve të Bordit të KPM-së.

Nga 63 deputetë sa votuan, 56 fletëvotime kanë qenë të pavlefshme.

Në bazë të kësaj, asnjëri nga kandidatët nuk ka marrë votat e mjaftueshme dhe duhet të përsëritet konkursi.

Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Saranda Bogujevci tha se ky konkurs duhet të përsëritet, pasi kandidatët e propozuar për tre anëtar të KPM-së nuk i morën votat e mjaftueshme.

Bogujevci: Konkursi për tre anëtarët e KPM-së duhet të përsëritet

“Asnjëri nga kandidatët e propozuar për tre anëtar të Komisionit të Pavarur të Medieve nuk i morën votat e mjaftueshme dhe duhet të përsëritet konkursi”, tha ai.

Nga komuniteti shumicë për dy anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave ishin propozuar, Hysni Mustafa, Luljeta Aliu Krasniqi, Arbër Jashari dhe Vlorë Berisha, ndërsa nga komunitetet pakicë të propozuar ishin Fatih Basha dhe Maja Staletoviq.

Në procesin e votimit nuk kanë marr pjesë opozita.

Seanca vazhdon në ora 15:30.

Ministri Aliu uron deputeten e PDK-së të bëhet ministre

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturor, Liburn Aliu ia ka ngatërruar pozitën deputetes së PDK-së, Floretë Zejnullahu.

Duke iu kundërpërgjigjur së njëjtës, gjatë seancës së Kuvendit, Aliu iu referua si ministre asaj, por duke kërkuar falje, ai e uroj që mandatin që vjen të bëhet ministre.

Aliu: Po ministre, deputete më fal. Uroj që të jesh ministre në mandatin që vjen

“Po ministre, deputete më fal. Uroj që të jesh ministre në mandatin që vjen”, tha ai.

Këtë e mirëpritet deputetët e PDK-së, duke aloduar se partia e tyre do të marrë pushtetin, por ministri tha se Zejnullahu do të bëhet me ta, pasi sipas tij origjina është e tillë.

Aliu: Me neve do të bëhet, origjina është e tillë

“Me neve do të bëhet, me neve. Origjina është e tillë, a po kupton”, shtoi ai.

***

 ​Kuvendi voton për zgjedhjen e tre anëtarëve të KPM-së

Kuvendi i Kosovës është në proces të votimit për zgjedhjen e tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Medieve (KPM). Votimi në këtë proces po zhvillohet i fshehtë derisa në sallë nuk janë të pranishëm deputetët e opozitës.

Valon Ramadani nga Lëvizja Vetëvendosje tha se nga 22 kandidatë që kanë aplikuar vetëm 16 janë intervistuar, pasi 3 prej tyre nuk kanë përmbushur aplikacionin për intervistim, 2 janë tërhequr për arsye personale, ndërsa 1 kandidat nuk ka marr pjesë në intervistim.

Nga komuniteti shumicë për dy anëtar të Komisionit të Pavarur të Medieve janë propozuar, Hysni Mustafa, Luljeta Aliu Krasniqi, Arbër Jashari dhe Vlorë Berisha, ndërsa nga komunitetet pakicë janë propozuar Fatih Basha dhe Maja Staletoviq.

Ramadani: Nga 22 kandidatë vetëm 16 janë intervistuar

“Rekomandohet Kuvendi i Kosovës që të bëjë emërimin e tre anëtarëve të KPM-së me votim të fshehtë, për dy anëtar të Komisionit të Medieve nga radhët e komunitetit shumicë shqiptar propozohen kandidatët që më së shumti kanë marr pikë, Hysni Mustafa, Luljeta Aliu Krasniqi, Arbër Jashari dhe Vlorë Berisha. Kuvendi bënë përzgjedhjen e dy anëtarëve të KPM-së nga katër të propozuar për një anëtar të KPM-së nga komunitete tjera propozohen kandidatët që kanë marr më së shumti pikë si në vijim Fatih Basha dhe Maja Staletoviq. ..Nga 22 kandidat që kanë aplikuar ka intervistuar 16 kandidat për arsye se 3 kandidat nuk kanë mbushur aplikacionin për intervistim 2 kandidat për arsye personale janë tërhequr nga kandidati dhe 1 kandidat nuk ka marr pjesë fare në intervistim. Komisioni ad-hock për zgjedhjen e anëtarëve të KPM-së pas intervistimit të kandidatëve të nominuar për anëtar të KPM-së I propozon Kuvendit zgjedhjen e tre anëtarëve të KPM-së“, tha ai.

***

Mimoza Kusari Lila, kryetare e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, ka kërkuar mocion për ndryshimin e rendit të ditës që pika e 5-të e rendit të ditës dhe pika e 6-të të zhvendosen si pika 3 dhe 4.

Zgjedhja e kryesuesit dhe dy (2) anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe Zgjedhja e tre (3) anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave janë pikat që u kërkua të zhvendosen.

Këtë kërkesë e kanë kundërshtuar tri grupet opozitare.

Abelard Tahiri, kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës tha se e kundërshtojnë këtë mocon, pasi sipas tij është më në interes puna njëqind ditore e Qeverisë.

Edhe Armend Zemaj deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se “kjo tregon që interes i mazhorancës, janë emërimet e shkarkimet, rehatimi i personave të caktuar, sesa debati për 100 ditëshin dhe vlerësimi i punës së qeverisë”.

“E kundërshtojmë dhe nuk jemi pjesë e këtij ndryshimi”, tha Zemaj.

Kundërshtoi edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Pal Lekaj.

“Sepse për qytetarët e Republikës së Kosovës me rëndësi është 100 ditëshi i qeverisë së Kosovës sesa të bëhet një ndryshim në rend dite”, tha ai.

Mocioni ka kaluar me 59 vota për, 25 kundër dhe asnjë abstenim.

Ndërsa edhe deputeti i PDK-së Ferat Shala ka ngritur mocion, lidhur me sektorin e ujit.

Kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca, tha se “po kërkohet të futet në rend dite, shqyrtimi i raportit me rekomandime në lidhje me gjendjen në sektorin e ujërave”.

Ky mocion ka kaluar me 71 vota për, asnjë kundër e asnjë abstenim. Kjo pikë është vendosur si pikë e 7-të e rendit të ditës.

***

​​Mazhoranca arsyeton kompletimin e bordit të ZRRE-së, PDK e quan të paligjshëm

Kuvendi i Kosovës është në proces të votimit të kryesuesit dhe dy anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë. Qeveria dhe mazhoranca arsyetuan kompletimin e plotë të të ZRRE-së, ndërsa partia më e madhe opozitare, PDK e konsideroi si proces të paligjshëm administrativ dhe juridik.

Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, duke arsyetuar nevojën e kompletimit të bordit të ZRRE-së, tha se në konkursi i ri është legjitim dhe ka qenë një proces me integritet të plotë dhe transparencë të plotë.

Rizvanolli: Ka qenë proces me integritet dhe transparencë të plotë

“Në konkursin që e kemi shpallur në prill të këtij viti kemi pasur tri herë më shumë kandidatë se konkursin e vitit të kaluar, për secilën pozitë. Kemi pasur një proces me integritet të plotë dhe transparencë të plotë që është mbikëqyrur nga BIRN”, tha ajo.

Në linjë të njëjtë u shpreh edhe ushtruesja e detyrës së shefes së grupit parlamentar të LVV-së, Mimoza Kusari-Lila.

Kusari-Lila: ZRRE ka nevojë për përbërje të plotë

“Thërrasim gjithë deputetët prezentë të votojnë për kryesuesin dhe anëtarët e ZRRE. Është një prej insitucioenve më vitale që ka nevojë për përbërje të plotësuar për të kthyer vendimmarrjen”, theksoi Kusari-Lila.

Nga ana tjetër, këtë proces të votimit e quajti të paligjshëm, deputeti i PDK-së, Ferat Shala.

Shala: Ky proces është i paligjshëm

“Sot po i nënshtrohemi një procesi tërësisht të paligjshëm administrativ dhe juridikisht. Sot po nënshtrohemi edhe një presioni të shumicës parlamentare duke shkelur çdo procedurë, etikë dhe parim”, tha ai.

Kandidatët e propozuar për kryesues të Bordit të ZRRE-së janë: Ymer Fejzullahu dhe Vehbi Sofjiu. Ndërsa, kandidatët e propozuar për dy anëtarë të bordit të ZRRE-së janë: Astrit Saraqini, Gani Buqaj, Arjeta Pajaziti-Qerimi si dhe Lutfie Dervishi./

***

​​​Partitë opozitare (PDK, LDK, AAK) kanë lëshuar sallën e Kuvendit, pasi u ndryshua rendi i ditës nga Lëvizja e Vetëvendosja, raporton Ekonomia Online.

Shefja e Grupit parlamentar të LVV-se, Mimoza Kusari- Lila, ka propozuar një mocion për kalimin e pikës për debat parlamentar për 100 ditshin e Qeverisë, duke kërkuar kështu fillimisht hedhjen në votim të Zgjedhjes së kryesuesit dhe dy anëtarëve të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë si dhe Zgjedhjen e tre anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Ky mocion ka kaluar me 56 vota pro.

Image

***

Deputeti Haxhiu pyet për 1 mijë testet e dhuruara nga Serbia, Vitia do të asgjësohen

Deputeti nga Partia Demokratike e Kosovës, Bekim Haxhiu ka kërkuar informacione se çka ka ndodhur me 1 mijë testet për COVID-19 që Kosova i kishte pranuar si donacion nga Serbia gjatë qeverisjes Kurti 1. Lidhur me këtë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se ato teste nuk janë përdorur dhe për shkak të afatit të skaduar do të asgjësohen si çdo material tjetër laboratorik.

Deputeti i PDK-së në seancën e sotme plenare, pyeti Vitin se sa është barra shtesë për asgjësimin e këtyre 1 mijë testeve për COVID-19 të dhuruara nga Serbia.

Haxhiu: Si do veproni me 1 mijë testet e dhuruara nga Serbia

“Deputetët por edhe ministrat që nuk i mbajnë maskat është mirë me i larguar nga seanca, në veçanti kur varianti, por e di që nuk po iu pëlqen disa por ne jemi të gjithë deputet kemi kontakte me qytetar variant Delta është prezent dhe duhet të mbrohemi të gjithë…Më datën 17 prill 2020 në kohën kur ishit ministër i Shëndetësisë në qeverinë Kurti 1 keni pranuar donacion për COVID 1 mijë teste nga Serbia sipas raportimeve të udhëheqësisë të IKSHP-së në Komisionit për Shëndetësi këto 1 mijë teste donacion nga Serbia nuk janë përdorur për testim të qytetarëve të Kosovës pasi këto teste nuk janë përdorur për qytetarët e Kosovës ndërsa Serbia u prezantua në mediat më prestigjioze si shumë humane . Pasi që këto teste nuk janë përdorur ende këto 1 mijë teste nga Serbia a janë larguar dhe a janë jashtë përdorimit si do veproni me këtë donacion që e keni pranuar nga Serbia a do ia ktheni Serbisë“, tha Haxhiu.

Vitia tha se këto teste do të asgjësohen si çdo material tjetër laboratorik në momentin e parë që mundshëm.

Vitia: Këto teste do asgjësohen në momentin e parë bashkë me mbetjet tjera

“Bazuar në të dhënat e IKSHP-së ato ruhen si edhe shumica e materialeve laboratorike të tjera dhe se ashtu siç ju nuk janë përdorur asnjëherë për shkak të skadencës këto kite do të trajtohen si të gjitha materialet e mikrobiologjisë me afat të skaduar sipas procedurave të Departamentit të Mikrobiologjisë në IKSHPK meqë nuk kërkohen procedura të veçanta të asgjësimit për to dhe numri i këtyre testeve nuk është i madh kjo nënkupton se do asgjësohen në momentin e parë bashkë me mbetjet e tjera të laboratorit”, theksoi ai.

Ministri Vitia tha se halli më i madh i tyre janë tonelata e shumta të barnave me afat të skaduar, për të cilat siguroi që do ua bëjnë qaren.

Vitia: Hallin më të madh i kemi tonelatat me barna me afat të skaduara

“Hallin më të madh qeveria aktuale e Kosovës dhe MSh e ka me tonelata e tonelata barna të cilat kërkojnë procedura procedura specifike për asgjësim dhe që fatkeqësisht janë blerë pa asnjë procedurë nga qeveritë e kaluara dhe tani janë grumbulluar në stoqet tona në depot e MSh-së të cilat jeni të sigurt se dhe aty do ia gjemë qaren”, tha ai.

Tutje deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu ka hedhur dyshimet për manipulim me shifrat e administrimit të vaksinave.

Haxhiu: Ka mospërputhje të madhe në raportimet në faqen e MSh për vaksinim

“Ka një mospërputhje totale në raportimet MSh-së a mundeni me na tregua se çka po ndodh me këto raportime, si mund të ndodh me u prezantuar vaksinimet ditore 12 mijë, ndërsa dozën e parë shtohen për 128 mijë brenda 24 orëve, ku është problem a nuk po arrini me mbajtur evidencën apo po tentoni rrejshëm me prezantuar shifrat çka ka ndodhur sepse ka mos përputhje shumë të madhe në raportimet në faqen zyrtare të MSh?”, tha ai.

E për këtë ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se raporti është i thjesht dhe i qartë.

Vitia: Raportimi për administrim të vaksinave është i thjesht dhe i qartë

“Raporti për të dhënat e dozave të administruara të vaksinës kundër COVID-19 është shumë i thjesht dhe shumë i qartë nuk kërkon analizën që keni bërë, dhe keni mundur çdo herë me e pa”, tha Vitia. 

***

Kurti thotë se nuk ka hequr dorë nga vendosja e reciprocitetit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka bërë të ditur se nuk ka hequr dorë nga vendosja e reciprocitetit me Serbinë, diçka që e kishte premtuar edhe para zgjedhjeve të cilat e nxorën fitues Lëvizjen Vetëvendosje. Në seancën e së hënës, shefi i ekzekutivit ka thënë se janë të interesuar për zbatim të plotë të reciprocitetit por që këtë do ta bëjnë pasi të përgatiten mirë.

Kurti ka thënë se reciprociteti tregtar është vetëm një elementi i reciprocitetit të plotë politik, ekonomik e tregtar.

Kurti: Nuk heqim dorë prej reciprocitetit

“Tash, reciprocitetin nuk e kemi për hakmarrje, besojmë që është një parim i shëndosh i marrëdhënieve midis shteteve që derivon nga koncepti i barazisë. Përveç kësaj, reciprocitetin nuk e kemi për të shtuar barriera por për t’i hequr ato ekzistuese dhe duam ta bëjmë në mënyrën të cilën nuk zhbëhet më. Se është e vërtetë që herën e kaluar e vendosëm gradualisht, gjithçka shkonte mirë, mirëpo më pastaj u kthye më keq se çkishte qenë ndonjëherë, kjo është arsyeja pse ne do ta vendosim reciprocitetin, nuk heqim dorë prej tij, reciprociteti tregtar është veç një element i reciprocitetit të plot politik ekonomik dhe tregtar, dhe këtë do ta bëjmë atëherë kur do të jemi të përgatitur”, ka thënë Kurti.

Për çështjen e reciprocitetit, Kurti ka thënë se duhet të përgatiten mirë në mënyrë që mos të dështojnë.

Kurti: Për reciprocitetin duhet të përgatitemi mirë, nuk mund të dështojmë sërish

“Zëvendësi im i parë, Besnik Bislmi ka përgatitur një dokument në mënyrë të thuket 11 shkeljet që ia bënë Serbia reciprocitetit me Kosovën në raportin tonë të ndërsjellë. Pra, ne edhe faktorëve ndërkombëtar ua kemi treguar këtë gjë, dhe po i japim kohë në mënyrë që reciprociteti nga i cili nuk kemi hequr dorë ta zbatojmë. Mirëpo në këto 100 ditë e para ne kemi pasur drejtor të ri të doganave, dhe ne duhet të përgatitemi maksimalisht sepse nuk mund të dështojmë sërish. Ju e dini në Kurti 1 e vendosëm reciprocitetin dhe qeveria e mëpastajme e hoqi reciprocitetin, nëse ne nuk arrijmë ta zbatojmë në plotëni reciprocitetin sërish, atëherë ai vdes edhe si koncept. Ne jemi të interesuar për zbatim të plotë e të saktë të tij meqenëse kemi edhe barriera sporadike përveç atyre sistemike dhe na duhet të përgatitemi plotësisht”, ka thënë kryeministri Kurti.

Deklarimi i Kurtit për reciprocitetin në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës është pasi u pyet nga deputeti i PDK-së, Fadil Nura se çka po ndodh me premtimin e Kurtit për reciprocitet me Serbinë, vendosja e së cilit, Kurti kishte deklaruar se do të bëhej menjëherë pasi të marrë drejtimin e qeverisë

***

Aliu për magjistralen Podujevë-Prishtinë: Pjesa e trasesë prej katër shiritave përfundon në vjeshtë

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturor, Liburn Aliu ka bërë të ditur se pjesa e trasesë prej katër shiritave të magjistrales Podujevë-Prishtinë do të përfundojë deri në vjeshtën e këtij viti.

Megjithatë, në seancën e Kuvendit, Aliu tha se kjo rrugë ka probleme të shumta, njësojë sikur magjistralja Prishtinë-Mitrovicë.

Për këtë arsye, ai tha se ka krijuar një komitet të veçantë të auditimit, i cili do t’i analizojë projektet në hollësi.

Aliu: Pjesa e trasesë së rrugës prej katër shiritave do të përfundoj këtë vjeshtë

“Ka probleme të ndryshme teknike, konkrete në terren, për të cilat duhet marrë masa të veçanta për sanimin e tyre. Fatkeqësisht duke pasur këto probleme, edhe në këtë rrugë, edhe në rrugën Prishtinë-Mitrovicë, ne kemi vendosur të krijojmë një komitet të veçantë të auditimit, i cili do t’i analizojë projektet në hollësi duke shikuar pozicionet një nga një. Pasi ka pozicione që janë paguar dhe s’janë realizuar fare dhe ka pozicione që në aspektin teknik ka probleme. Por sidoqoftë pjesa e trasesë së rrugës prej katër shiritave do të përpunoj këtë vjeshtë. Menjëherë pas shpronësimeve do të vijojmë me kyçje dhe me çështjen e sinjalistikës, tha ai.

Kështu është përgjigjur ministri pas pyetjes së deputetes së PDK-së, Florentë Zejnullahu. 

***

Aliu i bindur se “Hidrodrini” nuk ka leje ujore

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MPHI) Liburn Aliu vazhdon të insistoj që ujësjellësi “Hidrodrini” nuk ka leje ujore, madje dokumentin që e shpalosi në seancën e së hënës deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj thotë se do e dërgoj në prokurori.

Për cka ministri Aliu tha se ky vendim ka disa kushte që është përcaktuar të plotësohen brenda 60 ditëve dhe kjo nuk ka ndodhur.

Aliu: Këto dokument do t’ua dërgoj hetuesve që po merren me rastin e ujit në Deçan

“Kjo këtu që ma keni dhënë mua është leje ujore me kushte dhe kushtet janë të specifikuara dhe të lëshuara në vitin 2011. Tash këtu shkruan qartë se këto kushte duhet të plotësohen brenda 60 ditëve dhe plotësimin i këtyre kushteve nënkupton fuqizimin e këtyre lejeve ujore. Nëse të jepet një leje ujore ose një leje edhe ndërtimore e që duhet të shikohet ligjërisht, pra në këtë rast këtu e kemi sekretarin permanent të kohës, Arben Çitaku dhe kemi aplikues si duket komunën e Deçanit lëshim i lejes ujore. Duhet të shihet se si lëshohet ajo leje me kushte dhe jepet afati prej 60 ditë, gjë që nuk janë plotësuar, mendoj se shumë është dokument i rëndësishëm ky që ma keni dhënë dhe mendoj që kjo duhet t’iu shkoj atyre hetuesve që janë duke u marr me rastin e ujit në Deçan”, tha ajo.

Pas kësaj reagoi deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj beson se komuna e Deçanit i ka plotësuar kushtet e parapara në atë leje ujore të dhënë për “Hidrodrinin”.

Kadrijaj: Komuna e Deçanit i ka plotësuar kushtet

“Ju keni deklaruar se nuk ka leje kjo është një leje dhe ti nuk më sjellje se a janë plotësuar kushtet apo nuk janë plotësuar. Unë mendoj që komuna e Deçanit i ka plotësuar kushtet edhe për ata ka vazhduar, por nuk duhet gjykuar dhe me thënë se po ndodhin helmime për shkak se nuk ka leje. omuna e Deçanit I ka plotësuar kushtet helmimi ka ndodhur pajtona me atë dërgoje në prokurori dhe gjyqësi sepse shumë mirë e luani rolin edhe të avokatit dhe gjykatësit, prokurorë dhe gjyqtar sepse më së miri po dini këtë punë me e bë“, tha Kadrijaj.

Më pas ministri Aliu tha se derisa kushtet nuk janë plotësuar brenda 60 ditëve kjo tregon se ky rrjet i ujësjellësit nuk ka leje ujore.

Aliu: Komuna e Deçanit është mjaftuar me këtë dokument për të vazhduar punën edhe pse kushtet nuk janë plotësuar

“Plotësimi i kushteve brenda 60 ditëve nënkupton validitetin e asaj leje ujore, mos plotësimi I kushteve brenda afatit 60 ditësh nënkupton se nuk ka leje ujore shumë thjesht, prandaj deri tani isha duke diskutuar me zyrtarët e dërguam dhe shqyrtuam këtë rast absolutisht nuk ka dokument tjetër deri tani ky është dokumenti që tregon se nuk ka pasur procedim normal të mëtejshëm janë mjaftuar komuna për t’i vazhduar punët atje pa e plotësuar kriteret që parashihen me vetë këtë dokument”, tha ai.

***

Opozita i kërkon Qeverisë angazhim më të madh në shuarjen e zjarreve

Dy deputetët opozitarë, Xhavit Haliti nga PDK dhe Bekë Berisha nga AAK i kanë kërkuar Qeverisë angazhim më të madh në shuarjen e zjarreve, që u ndezën së fundmi në rajonin e Dukagjinit.

Gjatë seancës plenare, në deklarimet jashtë rendit të ditës, deputeti i PDK-së, tha se temperatura e larta vijojnë të jenë të pranishme dhe për këtë institucionet duhet të jenë të përqendruara dhe kontrollojnë gjitha fushat e rrezikuara nga zjarri.

Haliti: Zjarret kanë filluar, qeveria të merret me këtë çështje

“Dua të apeloj të qytetarët dhe qeveria, veçanërisht të merren me këtë çështje. Zjarret kanë filluar dhe moti është i nxehtë shumë, prandaj institucionet përgjegjëse, veçanërisht FSK, Policia, rojet e pyjeve duhet të jenë të përqendruara dhe të kontrollojnë fushat e rrezikuara nga zjarri. Kur po them të rrezikuara, kam parasysh se rrezikun më të madh po e shkaktojnë qytetarët vet, duke lënë mbeturinat dhe shishet e qelqit të cilat janë ndër shkaktarët kryesore të zjarreve”, tha ai.

Nga ana tjetër, Bekë Berisha, tha se ekzekutivi duhet të jetë aktive në shuarjen e zjarreve dhe parandalimin e tyre.

Berisha: Shqetësim janë zjarret në male

“Shqetësim janë zjarret në male që ish dashur qeveria për me reaguar me ndalë. Temperaturat e larta kanë me qenë prezentë edhe për një kohë. Zjarret janë lajmëruar në Rugovë, Suharekë së fundmi, por mundet edhe dika tjetër. Ish kanë mirë që Qeveria me pas angazhim edhe në këtë temë”, shtoi ai.

***

Kadrijaj: Rishikimi i buxhetit është bërë sipas preferencave politike të LVV-së

Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Time Kadrijaj ka thënë se rishikimi i buxhetit është bërë sipas preferencave politike të Lëvizjes Vetëvendosje.

Ajo madje kërkoi edhe më shumë mbështetje financiare për sektorin e kulturës dhe sportit.

Ndërsa, lidhur me deklarimin e ministrit të Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu se ujësjellës “Hidrodrini” në Deçan nuk ka leje ujore, Kadrijaj tha se ka siguruar një vendim që e thotë të kundërtën.

Kadrijaj: Rishikimi i buxhetit është bërë sipas preferencave politike të LVV-së

“Reagimi i qeverisë ka qenë i vonshëm dhe nga kritika që kanë bërë deputetët qoftë të partive të ndryshme ministri, Liburn Aliu doli me deklarata të pabaza që Deçani për këtë ujësjellës nuk ka pasur leje ujore, kjo nuk qëndron zotëri ministër unë e kam një vendim ku komunës së Deçanit iu ka lejuar dhe ka marr aprovim për këtë ujësjellës[...]Në buxhetin e aprovuar keni bërë një buxhet politik dhe e keni shpërndarë sepse tash jemi në zgjedhje lokale dhe e keni shpërndarë sipas preferencave politike të LVV-së. Nëse e bëjmë një krahasim të buxhetit të një viti të parë dhe tash dhe nëse i shohim amendamentet zotëri Hekuran tash që është ministër të gjitha amendamentet që ka qenë kryetar i Komisionit janë aprovuara dhe kjo është e padrejtë, në mandatin e kaluar shihni sa amendamentet e partisë opozitare janë aprovuar shumica ndërsa tani të gjitha amendamentet e bëra nga opozita nuk janë aprovuar asnjë kjo nuk është e drejtë buxheti është i Republikës së Kosovës dhe duhet të shpërndahet në mënyrë të njëtrajtshme”, tha ajo.

***

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se minishengeni ballkanik, i emëruar tani “Open Ballkan”, synon të krijohet mbi parimin e superioritetit të Serbisë, pozicion ky, siç ka thënë ajo, i keqpërdorur çdoherë nga Serbia duke abuzuar me të tjerët.

Në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës, Kusari-Lila ka thënë se krahasimi i mishengenit me Bashkimin Evropian është i pasaktë dhe çorientues.

Kusari-Lila: Minishegeni, iluzion që është gjetur çelësi i Ballkanit

“Për të gjithë ata që sot mundohen ta arsyetojnë një ide në qendër të së cilës është Serbia, e cila u mohon qytetarëve të saj vetëm se janë shqiptarë të drejtën e jetesës në atë shtet, e njëjta Serbia e cila në vazhdimësi cenon dhe pengon subjektivitetin ndërkombëtar të Kosovës, dhe po kjo Serbi e cila blen armë dhe dron nga Rusia e mohon gjenocidin në Bosnje e Hercegovinë dhe Kosovë, menjëherë dhe çuditërisht besohet se ushqen idenë për Ballkanin e Hapur, idenë e përbashkët, këtu në këtë mes nuk janë dy botë paralele siç po e theksojnë ata që e duan minishengenin me Serbinë në qendër dhe e krijojnë Kosovën, këtu është një realitet i qartë dhe një shtet që shkel të drejtat e shqiptarëve brenda dhe jashtë saj , një iluzion se është gjendur çelësi i problemit të Ballkanit, dhe një kullë prej letre e cila do të rrëzohet nga fryma e parë hegjemoniste serbe”, ka thënë ajo.

Ajo ka folur për sukseset e xhudistëve kosovar në Lojërat Olimpike në Tokio.

Kusari-Lila: Nuk biem në kurthin e Serbisë

“Fytyrën e vërtetë Serbia e shfaqi edhe kur ndaloi transmetimin nga televizioni shtetëror serb i betejës së Nora Gjakovës me arsyetimin se nuk kanë njerëz mjaftueshëm për të përcjellë ngjarjet në Tokio. Të njëjtës Serbi kryeministri i së cilës solli të ripaketuar idenë e minishengenit me emërtimin e ri Open Ballkan apo Ballkan i Hapur, ide kjo e kundërshtuar shumë në Kosovë, e marrë si zotim nga një ish kryeministër i Kosovës vitin që lam pas, por e refuzuar tani nga subjekti i tij politik, dhe shumë mirë që është kundërshtuar, e shumë mirë që nuk biem në kurthin e atyre që mendojnë që ripaketimi i idesë së ish-Jugosllavisë sjell diçka po zitive për shqiptarët dhe Kosovën”, ka shtuar ajo.

Ajo ka shtuar se suksesi i ekipit të xhudos është storia e Kosovës ku në mungesë të kushteve janë zhvilluar dhe kanë shënuar fitore të mëdha.

***

​Deputetja e PDK-së: Gratë e arta nderuan Kosovën

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Eliza Hoxha ka deklaruar se sporti i xhudos ka marrë mbështetjen më të madhe në Kosovë, kur Memli Krasniqi ka udhëhequr me MKRS-në.

Gjatës seancës së sotme plenare, në deklarimet jashtë rendit të ditës, deputetja opozitare tha se gratë e arta nderuan Kosovën në lojërat olimpike në Tokio të Japonisë.

Hoxha: Kosova ku ri zgjua në xhudo, kur MKRS udhëhiqej nga Memli Krasniqi

“'Lufo si vajzë, lufto si grua'. Kjo është thënia që nisi të qarkullojë kur Majlinda Kelmendi i solli Kosovës medaljen e parë Kosovës. Pasuan edhe medalje të tjera dhe këto ishin momente kur po Kosovën po flitej edhe në mediat ndërkombëtare. Gjithçka kishte nisur nga ëndrra e mbetur pengë e një djaloshi si Toni Kuka, i cili vazhdonte të besonte të pamundurën. Ndërkohë, shteti i Kosovës u ri zgjua dhe bashkë me Ministrinë e Kulturës të udhëhequr atë kohë nga Memli Krasniqi ndërmori hapat e parë konkret për ndërkombëtarizimin e sportit dhe përkrahjen e medalistëve. Andaj sot, Kosova gëzon skemën më të lartë të sportistëve që i sjellin medalje shtetit të tij. Sot, kur po flasim ekipi i Kosovës do të vijë dhe gratë e arta të Kosovës, dy të tjera tani, Distria Krasniqi e Nora Gjakova do të kthehen nga Tokio në Kosovë duke na nderuar sërish”, tha ajo.

Krahas kësaj, Hoxha tha se ekziston ana tjetër e medaljes ku shumë gra po bëjnë luftën e tyre për mbijetesë, duke qenë edhe viktima të dhunës seksuale dhe dhunës në familje.

Ajo ngriti shqetësimin edhe në mos alokimin e mjeteve financiare për verifikimin e viktimave të dhunës seksuale.

Hoxha: Gratë e Kosovës bëjnë luftën e tyre për mbijetesë

“Sot në liri shumë nga gratë e Kosovës bëjnë luftën e tyre për mbijetesë duke qenë viktima të luftës seksuale në kohë lufte dhe plotë nga këto edhe viktima të luftës së dhunës në familje. Kjo është ana tjetër e medaljes...Për këto kategori po shihet se do të mungojë përkrahja e Qeverisë, më vjen keq për mikën time Vasfijen dhe të gjitha gratë tjera të prekura nga viktimat e dhunës seksuale, por kjo qeveri i ka lënë në harresë”, u shpreh ajo. 

***

Deputetët e Kuvendit të Kosovës janë mbledhur të hënën për të debatuar për 100 ditëshin e Qeverisë Kurti.

Përveç kësaj, deputetët pritet të zgjedhin edhe dy anëtarë të Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë dhe zgjedhjen e tri anëtarëve të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Ndërkohë, pritet të shqyrtohet edhe propozim-vendimi i Qeverisë për themelimin e institucionit te Operës së Kosovës si institucion i shërbimit publik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat