Kompania ndërtuese thotë se s’ka informata për shembjen në Filologjik, Policia nuk inicion rast

Aktuale

Kompania ndërtuese thotë se s’ka informata për shembjen në Filologjik, Policia nuk inicion rast

Më: 7 maj 2021 Në ora: 19:38
Pamje nga vendi i ngjarjes

Një pjesë e murit të objektit të Fakultetit të Filologjisë është shembur në orët e vona të së enjtes. E qysh mëngjesin e së premtes, një pjesë që përdoret nga Fakulteti i Shkencave Matematike-Natyrore është rrethuar me shirita për ta parandaluar kalimin te pjesa e shembur. Kompania që është duke punuar në Filologjik, ndërkaq ka thënë se nuk ka informata rreth kësaj shembjeje.

Në brendinë e Fakultetit të Filologjisë, më saktësisht te pjesa që përdoret nga Fakulteti i Shkencave Matematiko-Natyrore, janë vendosur shirita. Kjo është bërë për ta parandaluar kalimin në korridoret që çojnë te pjesa e objektit që u shemb mesnatën e së premtes.

Dekania e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, ka treguar se menjëherë janë ndërmarrë masa. Ajo po ashtu ka dhënë hollësi për rrjedhën e rinovimeve në këtë objekt.

“Në prill të vitit 2021 kanë filluar punimet për drenazhimin e objektit të Fakultetit të Filologjisë, të FSHMN-së dhe të Filozofikut, investim i UP-së për të tria fakultetet. Ndërtesa është e vjetër dhe kemi pasur vazhdimisht probleme të ndryshme që lidhen me dëmtimet e shumta brenda dhe jashtë saj. Mbrëmë është dëmtuar një pjesë e ndërtesës dhe menjëherë kemi shkuar në vendin e ngjarjes te dy dekanët (bashkë me dekanin e Shkencave të Natyrës), me prodekanët për infrastrukturë dhe me përfaqësuesit e kompanisë së ndërtimit. Pjesa që është shembur, është përdorur nga FSHMN-ja dhe jemi përpjekur me kompaninë e sigurimit t'i bllokojmë korridoret qe shpien drejt hapësirës ku ka ndodhur shembja e murit. Me gjasë ajo pjesë është aneksuar më vonë dhe nuk ka qenë e lidhur për strukturën e bazës së ndërtesës”, ka thënë ajo.

Rektorati i UP-së ka thënë se komisioni mbikëqyrës i punimeve ka dalë në terren, por nuk ka dhënë hollësi rreth gjetjeve fillestare të tij.

“Ju informojmë që komisioni mbikëqyrës i punimeve, së bashku me kompaninë përgjegjëse, kanë dalë në terren, si dhe kanë zhvilluar takimet e nevojshme. Të njëjtit do të përcjellin konkluzionet dhe propozimet e tyre për sanim të dëmeve të shkaktuara”, thuhet në përgjigjen e Rektoratit të UP-së.

Gjatë ditës në këtë vend kanë dalë edhe zyrtarë të Policisë së Kosovës, të cilët kanë folur me punëtorët. Policia e Rajonit të Prishtinës ka thënë se nuk ka gjetur elemente për inicim të ndonjë rasti.

Ndërkohë, kompania e angazhuar për këto punime, “Alfa.i” ka vazhduar të punojë jo shumë larg vendit ku ka ndodhur shembja. Si kryeinxhinieri ashtu edhe menaxheri që e ka nënshkruar kontratën me Universitetin e Prishtinës, kanë thënë se nuk janë në dijeni lidhur me shembjen.

Kontrata “Drenazhimi, kanalizimi, ujësjellësi në Filologjik, FSHMN, Filozofik” mban vlerën prej 1.7 milionë eurosh.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat