“Strategjia e grupimit të Thaçit: Me lejen e Beogradit po akuzojnë Gërvallën për “shërbime” ndaj Serbisë!”

Aktuale

“Strategjia e grupimit të Thaçit: Me lejen e Beogradit po akuzojnë Gërvallën për “shërbime” ndaj Serbisë!”

Nga: A.Zh Më: 7 maj 2021 Në ora: 19:28
Donika Gërvalla dhe Hashim Thaçi

Profesori shqiptar Enver Bytyçi, ka kritikuar ashpër ish-ministrin e Drejtësisë nga Partia Demokratike e Kosovës Abelard Tahirin, për deklaratat e tij ndaj ministres së Punëve të Jashtme Donika Gërvalla.

Duke e quajtur “benjamin të Hashim Thaçit”, Bytyçi ka thënë se nuk ka turp më të madh se të krahasohet e bija e atdhetarit Jusuf Gërvalla, me pasuesit e kasapit të Ballkanit Slobodan Milosheviç, përcjell Bota sot.

Por, sipas profesorit Bytyçi, kjo është një strategji e grupit të Thaçit, i cili me leje të Beogradit, akuzon kundërshtarët për “shërbime” ndaj Serbisë.

“Sipas një deklarate të benjaminit të Hashim Thaçit, pra ish-ministrit të Drejtësisë, Abelard Tahiri, nuk paskan qenë disa LPK-istë bashkëpunëtorë të UDB-së për likuidimin e Jusuf Gërvallës, por ajo "paska qenë" vet e bija, Donika, megjithëse në atë kohë 7-8 vjeç!

Nuk ka turp më të madh se sa ta krahasosh Donika Gërvallën me pasuesit e Milosheviçit! Por, mesa duket kjo qenka strategjia e grupimit të Hashim Thaçit: Me lejen e Beogradit të akuzojnë kundërshtarët për "metoda" ose "shërbime" ndaj Serbisë!

"Gjuha kocka nuk ka, por kocka thyen", thuhet! Mesa shoh gjuha e tipave si Abelardi do të thyejë keq kockat e PDK-së, nëse vazhdohet me këto metoda arkaike”, ka shkruar profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare Enver Bytyçi.

Shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, dje në Kuvend e quajti ministren Gërvalla “përfaqësuese të Serbisë në Kosovë”.

“Ti je përfaqësuese e Serbisë në Kosovë. Ti nuk më përfaqëson mua. Ti je turpi më i madh. Sot nëse do të kishim një kryeministër të përgjegjshëm, sot do të duhej të ju shkarkonte. As edhe një minutë t’i nuk mund të jesh ministre e punëve të jashtme”, ka thënë Tahri.

Por, atij iu kundërpërgjigj kryediplomatja Gërvalla, e cila fajësoi deputetët e PDK-së për krijimin e Gjykatës Speciale. “Ju pikërisht jeni përgjegjës që prijësit tuaj sot ndodhen në Hagë. Ju, duke mohuar të vërtetën nuk do ta zgjidhni këtë çështje. Bëhuni seriozë, bëhuni opozitë serioze dhe konfrontohuni me të vërtetën tuaj dhe mos mashtroni votuesit tuaj”, ka thënë ministrja Gërvalla./BS

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat