Krejt çka dihet deri tash nga vrasja e Qerim Kelmendit

Aktuale

Krejt çka dihet deri tash nga vrasja e Qerim Kelmendit

Më: 27 shkurt 2021 Në ora: 08:26
Qerim Kelmendi

Sot bëhen një vit nga dita kur trupi i ish-pjesëtari të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qerim Kelmendit, ishte gjetur pa shenja jete dhe i djegur në veturën e tij. Për vrasjen e tij, familjarët e kishin drejtuar gishtin nga shërbimet sekrete serbe. 

Një veturë e djegur ishte gjetur në Zahaq të Pejës, mëngjesin e 27 shkurtit të vitit të kaluar. Brenda kësaj veture ishte gjetur trupi i pajetë dhe i djegur i ish-pjesëtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Qerim Kelmendit.

Për vrasjen që tronditi Pejën ishin deklaruar edhe familja Kelmendi.

Vëllai i Qerimit, Osmani kishte thënë se vëllain ia zunë në pritë.

“Vëllain tim e kanë zënë në pritë mbrëmë. Njëherë e kanë ekzekutuar pastaj e kanë djegë veturën. Ai ka qenë në qytet mbrëmë. Gjithmonë ka dal i lirë për tu shëtitur rrugëve të Kosovës”, kishte thënë Osmani.

E për atë se kush mund ta ketë kryer vrasjen ishte deklaruar vëllai tjetër i Qerimit.

Ish-udhëheqësi i Lëvizjes Popullore të Kosovës, Ibrahim Kelmendi, i kishte thënë se dyshon që prapa vrasjes së vëllait të tij qëndrojnë vrasës mercenarë, apo profesionistë të BIA-s serbe, që thotë se këtë e kanë bërë për të ndezur edhe më shumë armiqësimin mes krahut të luftës dhe atij të paqes.

“Dyshoj në vrasës mercenarë apo profesionistë të BIA-s së Serbisë, e cila duhet të ketë shfrytëzua rastin e debatit dhe grindjeve për “vrasjet politike”, për ta ndez edhe më shumë armiqësimin mes “krahëve” të luftë dhe pacifist.

Sa herë që nxiten grindje e debate, BIA shfrytëzon rastin të bëjë vrasje, për ta armiqësuar sa më shumë ambientin mes shqiptarëve”, kishtethënë Kelmendi.

Ndërkohë, pak orë para se policia të gjente veturën e djegur të Qerim Kelmendit, ky i fundit përmes dy shkrimeve në rrjete sociale i kishte dalë në krah, nënkryetarit të organizatës së veteranëve të luftës, Nasim Haradinajt, që në një intervistë në Televizionin T7, e quajti tradhtar ish-presidentin Ibrahim Rugova.

Kelmendi kishte shkruar se emri i Ibrahim Rugovës është shndërruar në lavatriçe të udbashëve.

“Emri i Ibrahim Rugovës ështē shendrruar ne Lavatriçe të udb-ashve, titistve, rankoviqistve, rugovistve, pastaj, të qyqarve, dezertorve dhe sabotatorve te luftës. Këtë farē te keqe e ka mbjellë, kultivuar, rritur dhe korrur UDB dhe KOS ! Janë shumë…”, kishte shkruar ai, derisa e kishte shpërndarë intervistën e Haradinajt, ku fliste për Rugovën.

Një orë më vonë, Qerim Kelmendi e kishte bërë edhe një postim në rrjete sociale, të fundit, para se të gjendej i vrarë.

Ai kishte shpërndarë një shkrim të një personi ku thoshte se “Të quhet Nasim Haradinaj farë e keqe nga Naser Rugova, është fyerje jo vetëm për Nasimin, por edhe për babanë e tij hero”.

Të njëjtit postim i kishte bashkëngjitur shkrimin “Po, Smajl Haradinaj e Nasim Haradinaj janë Tradhtarë, sepse ishin pakic, ishin kundër Serbisë, luftuan kundër Serbisë dhe shumicës shqiptare ! Edhe Unë jam tradhtarē si Smajl Haradinaj dhe Nasim Haradinaj, sepse, njësoj si ta, jam i urryer nga mijra shqiptarë”, kishte shkruar ai.

Detaje rreth këtij rasti kishin dhënë edhe Policia Rajonale e Pejës.

Sipas Policisë, fillimisht ishte lajmëruar për një veturë të djegur, në fshatin Zahaq të Pejës. Por, gjatë kohës derisa zjarrfikësit ishin duke lokalizuar zjarrin në brendësi të veturës ishte vërejtur një person (viktimë mashkull) trup i karbonizuar.

“Gjatë  kohës derisa zjarrfikësit ishin duke lokalizuar zjarrin në brendësi të veturës është vërejtur një person (viktimë mashkull) trup i karbonizuar. Vendit të ngjarjes i janë përgjigjur njësitet relevante të sektorit rajonal të hetimeve, njësiti K9, si dhe prokurori i shtetit dhe ekipi mjekësor, të cilët kanë konstatuar vdekjen e viktimës. Gjatë shikimit të vendit të ngjarjes është konstatuar se vetura e djegur është e tipit VË Passat me targa vendore”, thuhej në komunikatë.

Prokurori i rastit: Jemi duke mbledhë prova dhe ende nuk ka të dyshuar

Për të mësuar se deri ku ka shkuar faza e hetimeve, media kishte kontaktuar në nëntor të vitit të kaluar me prokurorin e rastit Haki Geci, prokuror në Prokurorinë Speciale, dhe me avokatin e autorizuar nga bashkëshorja dhe vajza e Kelmendit, Zenel Kelmendi, i cili është edhe vëllai i të ndjerit.

Prokurori Haki Geci, kishte thënë se hetimet ndodhen në fazën e grumbullimit të provave dhe deri më tani nuk ka ndonjë të dyshuar.

“Nëse do të intervistonim njerëz në cilësinë e të dyshuarve ndoshta do t’i arrestonim, por jemi duke mbledhë prova dhe ende nuk ka të dyshuar. Më shumë informacione nuk mund të japim”, kishte thënë Geci.

Ndërsa, Zenel Kelmendi, vëllai i Qerimit, ishte shprehur i zhgënjyer me hetimet dhe sipas tij rasti i ish-ushtarit të UÇK-së është neglizhuar. Brenda dhjetë muajve ai thotë se familja ka marrë vetëm një përgjigje me shkrim nga zyra e prokurorit të rastit.

“Që nga data 27 shkurt 2020, kur ka ndodhur vrasja e Qerim Kelmendit, e vetmja përgjigje që kemi marrë ne, familja jonë, nga zyra e prokurorit të rastit, Haki Geci, pasi nga i njëjti kemi kërkuar edhe me shkrim, është ajo e datës 09.06.2020 në të cilën thuhet se “Njësia e hetimit ende nuk ka përgatitur Raportin për analizimin e provave të cilat i kanë pranuar nga Njësia e Hetimeve-Pejë”, kishte thënë Kelmendi.

Zenel Kelmendi thekson se nga Prokuroria Speciale nuk kanë pranuar informacione shtesë se deri në cilën fazë kanë shkuar hetimet.

“Që nga kjo datë, familjarët tjerë dhe unë, vëllai i Qërimit, i autorizuar edhe nga bashkëshortja dhe vajza e tij, që t’i përfaqësoj ato dhe anëtarët tjerë të familjes sonë, në të gjitha fazat e procedurës penale, lidhur me ndriçimin e vrasjes së Qerim Kelmendit, nuk kemi pranuar asnjë informacion tjetër zyrtar se në cilën fazë kanë mbërritur hetimet. Jemi jashtëzakonisht të zhgënjyer për faktin se hetimet për këtë rast janë duke u neglizhuar kur kemi të bëjmë me një vrasje të rëndë”, u shpreh më tej Kelmendi.

Sipas tij, Prokuroria Speciale do të duhej ta njoftonte opinionin publik për rrjedhën e hetimeve.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, përkatësisht Prokurori i rastit, z. Haki Geci, do të duhej që ta njoftonte opinionin publik për rrjedhën e hetimeve edhe për faktin se, siç dihet botërisht, Qerim Kelmendi është njëra prej figurave të para të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është ushtari i parë i plagosur nga forcat serbe në vitin 1996 dhe është shpallur Hero i Kosovës”, përfundoi ai.

Por kush ishte në të vërtetë Qerim Kelmendi?

Bashkë me vëllain e tij Ibrahim Klemendin ishte një ndër themeluesit e Lëvizjes Popullore të Kosovës që më pas ishte shndërruar në Ushtri Çlirimtare të Kosovës.

Siç shkruhet në revistën DITA të shkurtit 2013, Qerim Kelmendi gjatë kohës sa kishte shërbyer në LPK ishte njohur me nofkën “Shpirtmadhi”, ndërkohë në gjatë shërbimit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës ishte njohur me nofkën “Dema”.

Gjatë viteve të 90-ta kishte jetuar në Shqipëri me mision për krijimin grupeve të rezistencës së Kosovës dhe UÇK’së deri në vitin 1999 kur edhe kishte përfunduar lufta.

Qerim Kelmendi ishte plagosur në vitin 1996 gjatë një përplasje me forcat serbe.

Ai madje ishte edhe një prej emrave që përfolej për organizimin e vrasjeve të pasluftës në Kosovë.

Kështu kishte thënë në një intervistë dëshmitari i mbrojtur i Prokurorisë Speciale, Shkumbin Mehmeti.

Ai kishte akuzuar Qerimin bashkë me vëllain Ibrahim Kelmendin se kanë dhënë urdhër për vrasjen e deputetit të LDK’së Smajl Hajdarjat dhe kolonelit Tahir Zemaj.

Këto akuza Qerimi i kishte përqeshur, duke i cilësuar si një telenovelë.

“Telenovela që po tjerët qe 10 vite ! E paska zbulue Makinën ne Avull !”, kishte thënë Qerim Kelmendi në vitin 2018.

Në profilin e tij në Facebook, Qerim Kelmendi është marrë në mënyrë aktive me ngjarjet e viteve 90-ta, UDB-ën, vrasjen e Ilir Konushevcit, familjen Haklaj nga Tropoja .

Së fundi Qerim Kelmendi i kishte dalë në mbrojtje Nasim Haradinajt pas akuzave të këtij të fundit ndaj Ibrahim Rugovës për tradhti.

Kelmendi ishte vazhdimisht aktiv në rrjetet sociale me postime kundër figurës së Ibrahim Rugovës. Ai shpesh postonte video të takimeve Rugova –Millosheviq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat