Hoti: Sonte vendoset gurthemeli i radhës në rrugën euroatlantike të Kosovës

Aktuale

Hoti: Sonte vendoset gurthemeli i radhës në rrugën euroatlantike të Kosovës

Më: 5 janar 2021 Në ora: 19:20
Avdullah Hoti

Kryeministri Avdullah Hoti tha sonte se dërgimi i Kontingjentit të FSK-së në Ajoa është konfirmim i rrugëtimit euroatlantik të Kosovës.

Këto komente Hoti i bëri gjatë seancës së jashtëzakonshme që po mbahet për miratimin e propozim-vendimit të Qeverisë të Kosovës për dërgimin e Kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës jashtë vendit, ku tha se përmes këtij misioni konfirmohet edhe besimi i partnerëve ndërkombëtarë ndaj Kosovës.

Ai ka thënë se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë të gjitha veprimet procedurale dhe ligjore për dërgimin e Kontingjentit të Forcës së Sigurisë së Kosovës në kuadër të gardës kombëtare të Ajoas, në misionin paqeruajtës me qëllim të sigurimit të stabilitetit rajonal në regjionin e komandës qendrore amerikane.

Hoti: Dërgimi i Kontingjentit të FSK-së në Ajoa konfirmim i rrugëtimit tonë euroatlantik

“Kjo mundësi që na jepet konfirmon besimin e partnerëve tanë strategjikë për rolin e Kosovës jo vetëm në sigurinë rajonale por edhe në sigurinë ndërkombëtare. Vendimi i Qeverisë së Kosovës për të dërguar kontingjentin e FSK-së jashtë vendit tregon se Kosova mbetet e përkushtuar ta rrisë bashkëpunimin me SHBA-të dhe vendet aleate. Këtë mision duhet ta konceptojmë, jo vetëm si një detyrë në kuadër të marrëdhënieve tona ndërkombëtarë, por si një konfirmim të rrugëtimit tonë euroatlantik. Me këtë vendim sonte vendoset gurthemeli i radhës në rrugën tonë të integrimit euroatlantik të shtetit të Kosovës”, tha Hoti.

Tutje, kreu i ekzekutivit para deputetëve tha se duke u votuar ky propozim i Qeverisë së Kosovës do të bëhet realitet ëndrra e kahershme e brezave të tërë në Kosovë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat