Daka: Gjykata Kushtetuese e ka qartësuar situatën për verifikimin e kandidatëve për deputetë

Aktuale

Daka: Gjykata Kushtetuese e ka qartësuar situatën për verifikimin e kandidatëve për deputetë

Më: 30 dhjetor 2020 Në ora: 00:24
Valdete Daka

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, ka thënë se po presin aktgjykimin e plotë nga Gjykata Kushtetuese dhe më pas të veprojnë sipas tij.

Ajo ka thënë se për shkak të aktgjykimit të Gjykatës Supreme para tri vitesh, në zgjedhjet e vitit 2019 KQZ-ja e ka pasur të pamundur të verifikojë kandidatët për deputetë. Por, shton se vendimi i fundit i Kushtetueses e ka qartësuar këtë situatë.

“Ne në vitin 2017 kemi tentuar ta zbatojmë nenin 29, t'i decirtifikojmë ata kandidatë apo mos t'u lejojmë certifikimin atyre kandidatëve të cilët kanë një dënim me aktgjykim të plotfuqishëm për një vepër penale për tri vitet e fundit. Këtë e kemi bërë, 87 kandidatë nuk janë certifikuar por sërish me një aktgjykim të Gjykatës Supreme ne jemi detyruar t'i kthejmë ata kandidatë në listat e subjekteve të tyre politike. Në 2019 kemi qenë në pamundësi ta bëjmë këtë sepse e kemi ditë rezultatin, ne nuk kemi hy fare në verifikim dhe nuk kemi kërkuar fare që ta dijmë a është dikush i dënuar apo jo, për faktin se e kemi pasur një aktgjykim të Supremes që nuk e ka lejuar këtë. Këtë situatë e ka qartësuar Gjykata Kushtetuese dhe ne tani jemi të obliguar ta zbatojmë nenin 29”, tha ajo.

Daka thotë se do të ketë edhe koordinim më të mirë me Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe se këta të fundit do t’u dërgojnë të dhënat që u kërkohen.

“Ne presim aktgjykimin dhe të shohim se çfarë rekomandime i jep KQZ-së dhe në bazë të tyre do të veprojmë. Gjithsesi do të komunikojmë me Këshillin Gjyqësor të Kosovës”, përfundoi ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat