Dosja e OKB-së/ Tigrat e Arkanit, i bashkohen ushtrisë serbe dhe shkaktojnë terror në Gjilan

Aktuale

Dosja e OKB-së/ Tigrat e Arkanit, i bashkohen ushtrisë serbe dhe shkaktojnë terror në Gjilan

Më: 3 dhjetor 2020 Në ora: 10:56
Tigrat e Arkanit

Në periudhën që NATO vendosi të ndërhynte në Kosovë, forcat ushtarake të Serbisë u tërbuan. Ata nisën një fushatë të egër gjenocidi, si dëbime, përndjekje, tortura, përdhunime, vrasje, e të tjerë. E njëjta situatë ishte edhe në Gjilan të Kosovës.

Më 25mars të 1999 ushtarët serbë me uniforma dhe njerëz të armatosur me rroba civile erdhën në fshatin Lladovë të Gjilanit.

Ata u vendosën në depon e fabrikës së baterive e cila gjendet në hyrje të Zhegrës, një fshat i afërt.

Ushtarët serbë erdhën në fshat me automjete ushtarake. Automjetet e tyre përfshinin 8-10 autobusë dhe kamionë të rëndë, të gjithë me targa ushtarake.

Banorëve vendës u thanë se njerëzit me rroba civile ishin Tigrat e Arkanit, edhe pse nuk u bë e qartë se kush ua dha këtë informacion.

Sipas dëshmitarit K81-shit, ata njerëz ishin shumë më të moshuar se ushtarët ,me uniforma, me mjekra të gjata dhe të armatosur, me armë automatike.

Disa prej tyre kishin uniforma të pjesshme dhe ngisnin makina civile, disa prej të cilave kishin targa të Leskovcit. K81-shi pa se civilët serbë dhe ushtria vepronin së bashku dhe mendonte se civilët ishin nën urdhrat e ushtrisë. Gjendja në fshat u keqësua me ardhjen e tyre për shkak të sjelljes së tyre kërcënuese.

Qamil Shabani, mësues shqiptar nga Zhegra, dëshmoi se në mbrëmjen e 28 marsit (festë myslimane e njohur si dita e Bajramit) ai dhe banorët e tjerë të Zhegrës dëgjuan të shtëna nga armë të rënda automatike nga Pasjani, që dukej se ishin të drejtuara kundër Llashticës dhe të cilat zgjatën rreth një orë.

Po atë ditë, familjet serbe në Zhegër filluan të shënonin shtëpitë e tyre me lecka të bardha për t’i dalluar nga shtëpitë shqiptare.

Rreth orës 18:00, “paraushtarakët,” të ndihmuar nga serbët vendës shkuan në disa shtëpi në Zhegër, duke kërkuar njerëzit më me reputacion të fshatit për t’i vrarë.

Ata filluan “spastrimin” e shqiptarëve nga fshati. Ata gjithashtu rrihnin njerëzit që zinin në rrugë. Ai dëgjoi se disa nga fshatarët ishin vrarë. Njerëzit i kapi paniku kur dëgjuan zjarrin e armëve dhe u larguan nga shtëpitë dhe u nisën për në male.

Rreth orës 19:00 ose 20:00, Shabani së bashku me familjen e tij dhe njerëz të tjerë të lagjes u detyruan të largoheshin nga Zhegra. Kundër tij shtinë por nuk e goditën.

Pasi u dëbuan nga Zhegra, Qamil Shabani me familjen e tij dhe rreth 1.300 fshatarë të tjerë shkuan në një kodër të quajtur Kushlevicë. 

Pasi u kthyen në shtëpitë e tyre më 30 mars, fshatarët u detyruan të largoheshin nga Zhegra përsëri atë ditë sepse serbët vazhduan të qëllonin me armë mbi shtëpitë e tyre. Këto forca vazhduan keqtrajtimin e banorëve të fshatit, vrasjet, rrahjet, dhe lëndimet e tyre.

Gjatë pesë javëve që grupi i Shabanit qëndroi në Stubëll të Poshtme, kushtet e tyre të jetesës ishin shumë të vështira sepse nuk kishte ushqim dhe strehim të mjaftueshëm dhe disa nga njerëzit u detyruan të flinin në çadra najloni të ngritura në faqe të malit në afërsi të fshatit. Si rezultat, njerëzit u organizuan në grupe të ndryshme dhe u nisën në drejtim të kufirit me Maqedoninë, shkruan Pmfleti.

Shabani dëshmoi se në fillim të majit 1999 ai u largua nga Stublla e Poshtme, së bashku me një grup prej afërsisht 600 njerëzish, dhe u nisën për në Maqedoni. Kur u kthye në Zhegër më 26 qershor 1999, Shabani pa se disa nga shtëpitë ishin djegur plotësisht, të tjerat ishin djegur pjesërisht; dhe vetëm disa kishin mbetur të padëmtuara. Të gjitha shtëpitë serbe ishin të padëmtuara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat