Haxhiu: Vota e Shalës nuk ishte vendimtare

Aktuale

Haxhiu: Vota e Shalës nuk ishte vendimtare

Më: 4 qershor 2020 Në ora: 00:46
AAK

Teuta Haxhiu, deputete e AAK-së, ka thënë se vota e deputetit Haxhi Shala nuk ishte vendimtare për Qeverinë Hoti.

Ajo thotë se nuk është mirë që dikush të bindet në momentet e fundit për t’ia dhënë votën dikujt, pasi sipas saj, Shala ka pasur mjaftueshëm kohë për të menduar për këtë çështje.

“Secili deputet që bindet në momentet e fundit për mua nuk është mirë. Nëse cilido deputet nuk e ka bindur veten që atë ditë kur është rrëzuar Qeveria Kurti se do të vijë një qeveri tjetër dhe e kemi pasur të ditur se ajo qeveri nuk do të udhëhiqet nga LDK-ja dhe qysh atëherë është dashur ta mendojë dhe ta bindë veten deri më sot. Konsideroj se diskutimet që mund të kenë deputetët e secilit subjekt janë çështje e brendshme e tyre dhe në suaza të kësaj e kisha lënë Shalën. Megjithatë, nuk do të thosha se vota e tij është vendimtare, pasi është një”, ka thënë Haxhiu.

Ajo thotë se do të kërkojnë llogaridhënie nga Qeveria Hoti.

“Diskutimet që ndodhin në Kuvend dhe në studio bëhen gjithmonë karshi asaj se çfarë do të ndodhë dhe një gjë e tillë do të ndodhë edhe në të ardhmen. Por, ajo çfarë është e rëndësishme është përgjegjësia, transparenca dhe llogaridhënia. Vendimet që ka marrë kryeministri Haradinaj nuk ka pasur guxim ta mendojë asnjëri prej kryeminsitrave, e as tash Hoti”, ka thënë Haxhiu.

Ajo ka përmendur çështjen e ushtrisë, të energjisë, dhe të Trepçës.

Megjithatë, sipas saj, nuk do të thotë se janë perfekt dhe mund të bëjnë gabime, derisa ka thënë se Haradinaj ka qenë transparent.

“Nga Hoti pres në respektim të buxhetit dhe ndarjes së buxhetit në secilën prej komunave në mënyrë të barabartë. Mirëpo ka një kabinet shumë profesional dhe jam shumë i sigurt se do t’ia dalin. Por në temat e mëdha vendit i duhet unitet dhe në këtë aspekt pres një bashkëpunim nga Hoti”, ka thënë ajo. “Po të kisha mundësi Listën Serbe nuk do ta shihja në Kuvend, por e dimë se kush e solli atë në Kuvend”.

Ajo ka kritikuar Qeverinë Kurti se Listës Serbe ia ka dhënë dy ministri, dhe kjo sipas saj nuk do të duhej të ndodhte.

Haxhiu ka thënë se do të kërkojnë llogari nëse ka papërgjegjësi nga ana e Listës Serbe, por edhe për ministrat e tjerë shqiptarë.

“Përderisa e kemi rastin e deputetëve të Listës Serbe, mendoj se ndonjëherëë po i bëjmë faktor më shumë se sa do të duhej”, ka thënë Haxhiu. “Qeveria e kaluar ndërmjet LDK-së dhe VV-së ka qenë mashtrim, është heq taksa pa negociuar asgjë me të. E ka heq pa asnjë kushtëzim dhe në këtë kohë me Serbinë e ka bërë faktor si shtet humanitar. Shumë qytetarë kanë ende plagë të hapura dhe ka qenë fyerje për familjarët e të pagjeturve dhe që kanë humbur më të dashurit e tyre”.

Mbi të gjitha, sipas saj, edhe reciprociteti është mashtrim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat