Anëtari i kryesisë së VV-së ia bënë të qartë LDK-së: I keni dy mundësi

Aktuale

Anëtari i kryesisë së VV-së ia bënë të qartë LDK-së: I keni dy mundësi

Nga: A.M. Më: 7 dhjetor 2019 Në ora: 13:54
Arbër Zaimi

Anëtari i Kryesisë së Vetëvendosjes, Arbër Zaimi, ka sqaruar njëherë e mirë se Lëvizja Vetëvendosje është fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, për këtë është certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Ai përmes një postimi në Facebook, ka shkruar se “nëse nuk bëhet marrëveshje për qeverinë Kurti, atëherë nuk do të votohet as kryetari i Kuvendit, gjë që sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese i takon ekskluzivisht LV. Pra pa marrëveshje, do të shkohet në zgjedhje”.

Postimi i plotë:

1. LV ka fituar zgjedhjet. Edhe pas rinumërimeve dhe lojërave me pragje, LV u certifikua nga KQZ si fituesja e zgjedhjeve, subjekti i parë e ai më i madh.

2. LV ka vendim strategjik të mos marrë në koalicion subjekte nga ish qeveria PAN.

3. Kjo lë vetëm dy mundësi, ose qeveri LV-LDK, ose zgjedhje. Nëse nuk bëhet marrëveshje për qeverinë Kurti, atëherë nuk do të votohet as kryetari i Kuvendit, gjë që sipas vendimit të Gjykatës Kushtetuese i takon ekskluzivisht LV. Pra pa marrëveshje, do të shkohet në zgjedhje.

4. Dmth. nuk ekziston mundësia që LDK të shkojë në opozitë, mundësitë e vetme janë: ose LV-LDK, ose zgjedhje.

5. LV e LDK janë shprehur dhe kanë bërë zotim publik gjatë fushatës zgjedhore se posti i presidentit nuk do të përfshihet në negociata për qeveri.

6. LV e LDK janë shprehur dhe janë zotuar publikisht se posti i kryeministrit i takon subjektit fitues dhe nuk është pjesë e negociatave për qeveri. Ky zotim erdhi meqenëse LDK refuzoi të pranonte ofertat e LV per koalicion parazgjedhor.

7. Kryetarët e LV e LDK janë marrë vesh për të patur nga 5 ministri secili subjekt, dhe kryetari i LV ka ofruar me bujari që zgjedhjen e parë ta bëjë LDK.

8. Veç kësaj, LDK-së i është ofruar nga LV edhe zv.kryeministri i parë. Edhe ky është një koncesion.

9. Kryetari i LV nuk ka vendosur asnjë vijë të kuqe për kërkesat e ardhura nga LDK. Por, secila kërkesë duhet të shoqërohet nga një ofertë. Asnjëri prej partnerëve nuk mund të marrë pa dhënë diçka.

10. Çdo vonesë është e panevojshme dhe në dëm të qytetarëve, që mezi e presin ndryshimin, sidomos në kushtet kur prapaskenat dhe skenarët alternativë tashmë nuk janë më të mundshme.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat