Kompanitë e sigurimeve reagojnë kundër vendimit të BQK’së

Aktuale

Kompanitë e sigurimeve reagojnë kundër vendimit të BQK’së

Më: 1 nëntor 2019 Në ora: 19:46
Foto ilustrim

Shoqata e Sigurimeve të Kosovës konsideron se Banka Qendrore e Kosovës nuk e ka trajtuar në mënyrë reale gjendjen aktuale nëpër të cilën po kalon industria e sigurimeve.

Sipas një komunikate për media, kjo shoqatë thotë se raporti i aktuarit ka vërtetuar në mënyrë të saktë matematiko-shkencore se ndryshimi i tarifave në shkallë prej 36,56% është mese i domosdoshëm për të evituar kolapsin e industrisë së sigurimeve, për shkak se, sipas tyre, i gjithë opinionin i gjerë është dëshmitar i numrit të madh të aksidenteve të komunikacionit dhe rrezikimit të jetës dhe pasurisë së qytetarëve.

“Një numër i madh i këtyre aksidenteve është me fatalitet ku shumë njerëz fatkeqësisht humbin jetën në këto aksidente. Në këto raste janë kompanitë e sigurimeve ato të cilat sipas ligjit janë të vetmet që e kanë përgjegjësinë për zhdëmtimin dhe kompensimin dëmeve materiale dhe jomateriale dhe zbutjes së dhimbjeve të qytetarëve e sidomos familjeve të viktimave”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas tyre, me aprovimin e raportit të aktuarit, Rregullatori do të zbatonte ligjin për BQK-në, duke mbajtur stabilitetin financiar të vendit tonë në evitimin e kolapsit të një industrie shumë të rëndësishme për vendin siç është industria e sigurimeve.

“Me mos aprovimin e kërkesës së tarifave, BQK nuk ka marr për bazë interesin në rend të parë të polic mbajtësve. Kjo bazuar se raporti i aktuarit ka treguar dhe shtjelluar nevojën urgjente për veprim duke ndryshuar tarifat aktuale. Duke qenë se industria e sigurimeve është nën mbikëqyrje të BQK-së si rregullator, dhe duke u bazuar në vendimet e rregullatorit normalisht se do të jemi detyruar t’i zbatojmë vendimet e tyre, mirëpo gjithnjë do të kërkojmë që ndryshimi i tarifave ta ketë trajtimin e vet bazuar në raportet aktuaristike të cilat përcaktojnë tarifën e duhur për rrezikun që e marrin”, thuhet në njoftim.

“Shoqata e Sigurimeve edhe një herë u bën thirrje të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të kenë kujdes, duke vozitur sipas kushteve dhe rregullave të komunikacionit në mënyrë që të ruajnë jetën e vet, jetën e pjesëmarrësve në komunikacion dhe pasurinë e tyre”, thuhet tutje në njoftim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat