PDK po kundërshton Autostradën e Dukagjinit, vjen përgjigja nga Ministria e Infrastrukturës, që drejtohet nga AAK

Aktuale

PDK po kundërshton Autostradën e Dukagjinit, vjen përgjigja nga Ministria e Infrastrukturës, që drejtohet nga AAK

Më: 14 korrik 2019 Në ora: 22:06
Krerët e vendit

Plani i Ministrisë së Infrastrukturës për ndërtimin e autostradës e cila pritet të kalojë nëpër Istog, Pejë, Deçan, Gjakovë e Prizren po kundërshtohet nga vetë partneri i koalicionit qeverisës- PDK.

Kjo autostradë e cila pritet të kushtojë rreth 1 miliard euro, është kundërshtuar nga Ministri i Drejtësisë nga radhët e PDK-së, Abelard Tahiri. Tahiri, thotë se ndërtimi i kësaj autostrade është i panevojshëm.

Mirëpo, gjithë këto deklarata të Ministrit të Drejtësisë po kundërshtohen nga Ministria e Infrastrukturës e cila drejtohet nga Ministri nga radhët e AAK-së, Pal Lekaj.

Shefi i kabinetit të kësaj ministrie, Argjend Zejnaj tha se edhe kjo autostradë, sikurse edhe autostradat tjera të vendit, duhet të kryhet. Shtoi se paragjykimet për koston e ndërtimit të kësaj autostrade, nuk duhet paragjykohen, pasi siç tha ai, është investim i nevojshëm.

“Si komentoj ato deklarata. Nuk është në nivelin tim. Autostrada e dukagjinit sikurse edhe autostradat tjera duhet të bëhen. Nuk është mirë të paragjykohen edhe për çmim apo jo. A është investim i nevojshëm apo jo, atë e ka shpallur qeveria si të nevojshme. Nuk e di pse duhet të anashkalohet një regjion i cili jep 35% të buxhetit të shtetit. Sido që të jetë, është prioritet edhe premtim i kryeministrit edhe i ministrit edhe i partnerëve të koalicionit. Këto deklarata janë të izolueme”, tha Zejnaj.

I pyetur nëse partneri më i madh i koalicionit qeverisë ka shkelur një premtim të dhënë në fillim të formimit të qeverisë, Zejnaj shtoi se një premtim i tillë duhet të mbahet pasi është premtim i nevojshëm.

“Premtimet edhe programi qeveritar prej fillimit ka qenë që prej fillimit, që herë dokurdo do të përfshihet edhe autostrada e nivelit R7 dhe R6- në Dukagjin, për shkak se është e nevojshme. Të nisemi prej Istogut në Prizren, të gjitha janë rrugë regjionale me dy korsi të cilat nxjerrin shumë pengesa si ekonomisë. Prandaj autostrada e Dukagjinit që do të fillojë në fund të këtij viti, do t’i jap shans të barabartë edhe zhvillimit të Dukagjinit sikurse edhe ajo për Mitrovicë sikurse edhe ajo për Podujevë, sikurse ajo Prishtinë- Han i Elezit pse jo edhe ajo Istog- Prizren”, përfundoi ai.

Ndryshe, autostrada e cila lidhë qytetet si Istog, Pejë, Deçan, Gjakovë e Prizren pritet të kushtojë rreth 1 miliardë euro dhe pritet të fillojë punimet në fund të këtij viti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat