Haradinaj nuk është i gatshëm për zgjedhje, diçka të tillë nuk i kërkoi as Veseli

Aktuale

Haradinaj nuk është i gatshëm për zgjedhje, diçka të tillë nuk i kërkoi as Veseli

Më: 19 shkurt 2019 Në ora: 16:41
Ramush Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk është i gatshëm për zgjedhje të parakohshme.

Ai pas mbledhjes së Qeverisë tha se partneri i koalicionit qeveritar, Kadri Veseli nuk i ka kërkuar zgjedhje.

Haradinaj ka bërë të ditur se nuk është takuar më me kryeparlamentarin Veselin  që nga seanca solemne për Ditën e Pavarësisë, ku të dy ata u dukën të acaruar me njëri-tjetrin.

Para gazetarëve, shefi i ekzekutivit tha se nuk komenton fjalët e Kadri Veselit.

Haradinaj: Nuk mund të komentoj fjalët e kryetarit Veseli

“Unë nuk mund të komentoj fjalën e kryetarit Veseli. Ajo është një ditë festive dhe zakonisht ndonjë porosi e kësaj natyre shkon”, tha ai.

Duke u përgjigjur për zhvillimet e ditës së diel në Kuvend, Haradinaj tha se në ditë të tilla ka ngarkesë me punët organizative, siç ishte shënimi i 11-vjetorit të pavarësisë.

Haradinaj tha se nëse Kuvendi i Kosovës arrin votat e mjaftueshme për rrëzimin e qeverisë, atëherë e respekton, por se ai nuk është i gatshëm për zgjedhje të parakohshme.

Haradinaj: Veseli nuk më ka kërkuar zgjedhje, nuk jam i gatshëm

“Nuk jam i gatshëm, jam i gatshëm me punuar, sepse e kam marrë mandatin, por nëse parlamenti vendos ashtu, unë e respektoj. Nuk ka të bëjë me gatishmëri, është një proces i ditur. Nëse nesër thirret një seancë dhe i ka 61 vota mosbesimi për qeverinë, kuptohet shkojmë në zgjedhje dhe vazhdon jeta... Nuk jemi parë me kryetarin Veseli, nuk më ka kërkuar me u mbajt zgjedhjet, por nëse ma kërkon, e respektoj, është e drejtë legjitime për të shkuar në zgjedhje nëse njëri nga partnerët e vlerëson, unë nuk kërkoj zgjedhje”, tha ai.

Sipas Haradinajt, fillimisht duhet të kalohen temat e mëdha, dhe pastaj të shkohet në zgjedhje të lira. Ai shtoi se LDK dhe VV duhet të kyçen në dialog, pasi sipas tij, pjesëmarrja e tyre aty nuk i largon zgjedhjet.

Haradinaj: LDK dhe VV të kyçen në platformën për dialog

“Pjesëmarrja e tyre në këtë proces, nëse ata mendojnë që zgjedhjet janë të nevojshme, ata nuk i largojnë zgjedhjet duke marrë pjesë në proces për dialog. Ata mund t’i përshpejtojnë këto zgjedhje, pra temat janë të ndërlidhura, derisa ne jemi në procese kaq të rënda, është e pashpjegueshme atëherë shkuarja në zgjedhje. Nëse ne heqim disa tema të rënda para vetes, shkojmë në zgjedhje tamam të lira, pa presionin e temave që janë tema të rënda për vendin. Mendoj që edhe LDK edhe VV të kyçen në platformë, të kyçen në dialog, t’i heqim këto tema që i kemi para vetes që në zgjedhjet e ardhshme të jemi për vende të punës, për shëndetësi, për arsim më të mirë”, tha Haradinaj.

Gjithashtu, Haradinaj tha se e përkrahë idenë e kryediplomatit kosovar Behgjet Pacollit për takime me gjithë spektrin politik në vend, dhe me përfaqësues të SHBA-së për të koordinuar veprimet lidhur me dialogun.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat