PSD kërkon rritjen e pagës minimale

Aktuale

PSD kërkon rritjen e pagës minimale

Më: 19 shkurt 2019 Në ora: 15:03
PSD

Partia Socialdemokrate përmes një tryeze diskutimi ka kërkuar që paga minimale në Kosovë të rritet në mënyrë që t’i plotësojë nevojat e gjithë punëtorëve të sektorit privat, si dhe të drejtën në pagë minimale duhet të ketë secili qytetar që nga mosha 18-vjeçare.

Nënkryetari i kësaj partie, deputeti Visar Ymeri tha se paga minimale në Kosovë është më e vogla në rajon. Sipas tij, kjo pagë  prek shumë njerëz në Kosovë dhe se është anashkaluar për një kohë të gjatë nga shteti dhe shoqëria.

Ymeri: Përcaktimi i pagës minimale të burojë nga një proces gjithë përfshirës

“Praktika më e pranuar e pagës minimale është e dialogut social mes punëmarrësit, punëdhënësit dhe institutit publik, ose institucioneve shtetërore. Ne besojmë se përcaktimi i pagës minimale duhet të burojë nga një proces gjithë përfshirës demokratik mes parterëve shoqërorë. Metodologjia për llogaritjen e pagës minimale në vend është gjëja më e rëndësishme në këtë diskutim. Nuk mund të flasim për nivelin e pagës minimale, duke mos pasur mundësi ta analizojmë shkencërisht rolin e saj në shoqëri. Procesi i përcaktimit të metodologjisë për caktimin e pagës minimale duhet nisur nga parimi që punëtorit dhe familjes së tij t’i sigurohet niveli i të ardhurave që i garanton ushqim të bollshëm dhe të shëndetshëm. Hapësirë të mjaftueshme banimi, qasje të lehtë në shërbime shëndetësore, arsim cilësor dhe përfshirje në jetën kulturore”, tha Ymeri.

Ndërsa deputetja e PSD-së, Besa Baftiu u fokusua më shumë në struktura e të punësuarve është në shpërputhje të plotë me bilancin gjinor sa i për ketë bazës materiale.

Baftiu, mes tjerash, tha se 80,7 për qind e grave në Kosovë nuk kërkojnë pune fare për shkak të gjasave të vogla për t’u punësuar dhe se ato janë të përjashtuara jo formalisht nga jeta publike dhe politike, duke lënë në varësi ekonominë familjare që zotërohet prej meshkujve.

Baftiu: Gratë të përjashtuara jo formalisht nga jeta publike dhe politike

“Gratë e punësuara në sektorin privat kryesisht gjenden në dyqane të ndryshme ushqimore, butik, farmaci, rrobaqepësi, ku paga minimale është tejet e ulët. Duke qenë në pozitë të vështirë ekonomike, me pagë të ulët dhe kontratë të përkohshme, gratë nuk janë të lira dhe për këtë mënyrë iu cenohen të drejtat elementare të njeriut. Realisht, gratë në Kosovë janë të përjashtuara jo formalisht nga jeta publike dhe politike, duke i lënë në varësi ekonomisë familjare që zotërohet prej burrit”, u shpreh deputetja Baftiu.

Ligjëruesi universitar, Artan Mustafa, tha se për të pasur një pagë minimale të duhur, duhet të përcaktohet shkalla e pagës minimale bazuar në të ardhurat të familjeve.  Sipas tij, rritja dhe barazia me të ardhura duhet të shkojnë paralelisht njëra me tjetrën.

Mustafa: Pabarazia në Kosovë po rritet

“Kemi rritje të GDP-së, kohës fundit dhe për person, por kemi rritje të GDP-së bashkë me rritje të pa barazisë. Kjo sipas shumë të gjeturave shkencore, mandej e përcakton se çfarë lloj të rritjes kemi. Pabarazia në Kosovë po rritet, ndërkohë dhe varfëria në të ardhura, duhet të bëjmë diçka që këto pagesa të përcjellin zhvillimet e përgjithshme në tregun e Kosovës”, tha Mustafa.

Ndryshe, paga minimale në Kosovë është 130 euro për të punësuarit e moshës nën 35-vjeç dhe 170 euro për të punësuarit mbi 35-vjeç, pagë kjo e cila nuk ka pësuar ndryshime që nga viti 2011.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat