75 dënime kapitale e 47 të përjetshme për shkak të protestave në Egjipt

Afrika

75 dënime kapitale e 47 të përjetshme për shkak të protestave në Egjipt

Më: 8 shtator 2018 Në ora: 16:34
Egjipt

Egjipti ka tashmë verdiktin e një gjyqi nga më masivët e ndodhur ndonjëherë, me gjykatën që ka dhënë 75 dënime kapitale dhe 47 të tjera me burgim të përjetshëm, përfshi këtu edhe ish-udhëheqësit islamik, në fund të seancës që kishte mbi 700 të pandehur.

Ata që dolën përpara gjykatësve akuzohen për trazirat e shkaktuara gjatë protestës pro “Vëllazërisë Myslimane”, pas rrëzimit të ish-presidentit Mohammed Morsi në vitin 2013. Grupi i të drejtave të njeriut “Amnesty International” e cilësoi gjyqin si “jashtëzakonisht të padrejtë” dhe në shkelje të Kushtetutës së Egjiptit.

Dhuna shpërtheu ashpër në protestën e vitit 2013 në sheshin “Rabaa al-Adawiya” të Kajros, ku mbetën qindra të vdekur nga forcat egjiptiane të sigurisë.

Më herët këtë vit, Parlamenti egjiptian u dha oficerëve ushtarakë imunitet për goditjen vdekjeprurëse dhe krimet e kryera mes korrikut të vitit 2013 dhe janarit të 2016-s.

Të dënuarit në gjyqin masiv akuzohen për shkelje të lidhura me sigurinë, përfshi “nxitje dhune”, “vrasje” dhe “organizim protestash të paligjshme”.

Në fakt, 75 vendimet me vdekje ishin dhënë që në korrik, por konfirmimi i kësaj të shtune i atyre dhe i vendimeve të tjera, shënon fundin e gjyqit. 

Persona të shquar dhe politikanë të organizatës “Vëllazërisë Myslimane”, tashmë e ndaluar ligjërisht, ishin mes atyre që u dënuan përjetë, përfshi kreun suprem të saj, Mohammed Badie. I dënuar rezulton edhe gazetari fitues i një çmimi për “fotografinë”, Mahmoud Abu Zeid, i njohur edhe si Shaëkan, me 5 vite burg.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat