Kriza e ujit në Cape Town

Afrika

Kriza e ujit në Cape Town

Më: 25 shkurt 2018 Në ora: 21:13
Ilustrim

Qyteti Cape Town në Afrikën e Jugut, i prekur nga një thatësirë trevjeçare, pritet të bëhet qyteti i parë i madh pa ujë në botë. Qyteti do të mbyllë impiantet komunale dhe do të mbetet pa ujë në "Ditën Zero", që momentalisht vlerësohet të jetë 4 qershori. Por për shumë banorë të komunave të varfëra të qytetit, uji ka qenë gjithmonë me palkicë. Ndërsa banorëve u kërkohet të kursejnë çdo pikë uji, disa thonë se nuk mund të kursejnë më shumë.

Për Welekazi Ranganan, uji ka qënë gjithmonë i çmuar.

“Edhe kur kam lindur unë, kjo ishte mënyra sesi laheshim”, thotë Welekazi.

Ajo asnjëherë nuk ka patur dush, jo më makinë larëse enësh ose rrobash në shtëpinë e saj në komunën e varfër Khayelitsha. Banorët këtu kanë përdorur për vite mesatarisht vetëm 50 litra ujë në vit, kuota e caktuar nga qyteti për të shmangur Ditën Zero. Rangana thotë se nuk i vjen aspak keq për banorët më të pasur, që mundohen tani të arrijnë këtë objektiv.

“Nuk ka qenë e drejtë pasi për një kohë të gjatë ishin ata që përdornin ujin. Ne ishim ata që e kursenim atë. Por tani, nuk ka rëndësi. Kur bëhet fjalë për ujin kemi të njëjtin problem. Tani ata janë si ne.”

Fqinja e saj Ntombikayise Dondi thotë se thatësira dhe kufizimet e ujit kanë rënduar shumë mbi të.

“Ky kopësht më bën të qajë pasi me prodhimet e tij ushqeja familjen”

Cape Town mbështetet në tre rezervuarë që mbushen nga shiu dhe sigurojnë ujë për gjithë qytetin. Por tre vite thatësire i kanë shteruar ato.

Hidrologu Piotr Wolski thotë se thatësira e fundit në fillim të shekullit të 21-të e detyroi qytetin të bëhej më i vetëdijshëm për situatën.

“Kërkesa për ujë është e lidhur fortë me rritjen e popullatës dhe ajo është rritur në Cape Town me gati 30 përqind që nga viti 2000. Megjithatë kërkesa për ujë nuk është rritur. Kështu fushata për pakësimin e rrjedhjeve dhe ndërgjegjësimi i banorëve kanë kompensuar rritjen e kërkesës që duhet të vinte nga shtimi i popullatës.”

Por në zonat më të pasura të qytetit, banorët janë të shqetësuar. Në disa zona të qytetit, banorët mund të marrin ujë falas nga burimet natyrore.

“Gjithmonë e kemi marrë si të qenë ujin. Tani e dimë cdo të thotë të mos e kesh.”

Ajo thotë i është dashur të përshtatet.

“Bëj dush më rrallë dhe bashkë me bashkëshortin.”

Në Khayelitsha, ku shumë banorë janë mbështetur tek furnizimi publik, ngjashmëria me padrejtësitë e regjimit të aparteidit është vështirë të injorohet, thotë aktivisti dhe vullnetari Mpumi Mhalisi.

“Beteja me të cilën ndeshemi tani, nuk është për liri por për ujë.”

Ky është mesazhi që shqetëson shumë banorë ndërsa presin Ditën Zero dhe një të ardhme të pasigurtë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat