Egjipt, gratë dhe shamitë

Afrika

Egjipt, gratë dhe shamitë

Më: 31 gusht 2016 Në ora: 23:45
ilustrim

Në Egjipt, disa gra myslimane kanë filluar të largohen nga tradita e mbajtjes së shamisë. Zëri i Amerikës bisedoi me disa gra egjiptiane që shpjegojnë marrëdhënien e tyre komplekse me shamitë dhe luftën e tyre për të drejtën për të veshur çfarë të duan. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Hamada Elrasam njofton nga Kajro.

Shumë gra veshin shami me dëshirën e tyre. Për ato, kjo tregon përkushtim ndaj fesë dhe në Egjipt feja tani është në modë.

"Shaminë e mbaj për të shprehur bindjen ndaj zotit. Ai e di se unë e vë shaminë për të. Por, shamia më bën gjithashtu të ndjehem dhe të dukem më e pjekur në publik", thotë Mai Hisham.

Pas kryengritje së vitit 2011, shumë gra vendosën të braktisnin shaminë si një gjest simbolik për lirinë e tyre.

"Babai nuk më bërtiste, nuk më ka detyruar të mbulohesha, por unë isha tepër e re kur fillova të vija shami. Nuk ishte dëshira ime”, thotë Aya Abdullah.

Gratë egjiptiane janë nën presion si për të përdorur ashtu edhe për të mos përdorur shaminë. Disa restorante luksoze nuk lejojnë hyrjen e grave të mbuluara. Por gratë që nuk mbulohen janë objekt i abuzimeve nga miqtë, familja apo edhe njerëz që ata nuk i njohin.

"Një shofer taksie mu duk normal,por më pas filloi të më fliste me një gjuhë të ashpër duke më thënë:"rrobat e tua janë mëkat, nuk duhet të dalësh në publik pa shami", thotë Azza Fadaly.

Në Iran, disa burra po publikojnë foto të tyre me shami si pjesë e një fushate në internet për të protestuar ndaj ligjeve që i detyrojnë gratë të mbulohen.

Disa gra egjiptiane thonë se e mbështesin këtë fushatë, sepse ato mendojnë se kanë të drejtë të zgjedhin rrobat që veshin.

"Në një moment unë mund të mendoj ta heq shaminë. Por problem në Egjipt është sistemi ynë i klasave. Në qoftë se shkon pa shami në shtëpinë e nje banori mesatar, ata të shikojnë sikur të jesh e huaj dhe kjo të vë në siklet", thotë Sahar Arabi.

Qeveria egjiptiane nuk dikton veshjet e grave. Por Sahar thotë se liria e vërtetë do të vijë vetëm atëherë kur askush nuk do të diktojë, madje as do të përpiqet ta bëjë këtë./voa

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat