Vdiq, ish futbollisti Sami Ahmeti

Sporti

Vdiq, ish futbollisti Sami Ahmeti

Nga: Agim Binaku Më: 10 maj 2011 Në ora: 12:33

Pas një sëmundjeje të shkurtër, në moshën 64 vjeçare, vdiq dhe u varros ish futbollisti i njohur prizrenas, Sami Ahmeti. I ndjeri ka qenë një nga pionierët dhe talentët më të mëdhenj të Klubit Futbollistik Liria. Sami Ahmeti i takon brezit të artë të Lirisë, kur skuadra prizrenase për herë të parë inkuadrohet në ligen e dytë ish-jugosllave, me një plejadë të futbollistëve të paharruar. Hadri-Ahmeti ishte dyshja që shëmbëllente në futbollin e Kosovës, për vjet me radhë. Kudo, Samiu e Sokoli ishin bashkë, madje edhe gjatë transferimeve të tyre nepër klube të tjera. Kjo dyshe për një kohë ka luajtur edhe për Buduqnostin e Pejës, por mbahet mend për epoken e Prishtinës në ligen e dytë, kur skuadra e kryeqytetit mëtonte ta mbërrijë rangun elit. Janë të paharrueshme ndeshjet kualifikuese me Osijekun e Kroacisë, kur të dy radhas skuadra e Prishtinës u eliminua nga ekipi kroat dhe të dy herat Samiu e Sokoli ishin protagonistët më të shquar. I ndjeri Ahmeti kishte filluar karrierën në vitet e hershme të 70-tave, si alo e djathë për të qenë shpesh herë i ftuar edhe në reprezentacionin e Kosovës. Dashamirët e futbollit, në veçanti ata të brezave më të hershëm e mbajnë mend Samiun për stilin e tij të veçantë, të një vrapi të përkryer atletik, por edhe i zgjuar në fazën e sulmit, për tu dalluar krosimet e tia shumë frytdhënëse. Alo e djathtë ishte për shumë kohë në Prizren e në Pejë, kurse në Prishtinë ndërron pozicionin dhe spostohet në mbrojtës të djathtë që aso kohe trajtohej si një transformim pothuajse i pamundur, prej alos në mbrojtës! Pas përfundimit të karrierës, Samiu u tërhoq nga futbolli dhe iu përshkushtua pikturimit. As një herë nuk pranojë të ishte qoftë në kryesi të klubit, sidomos KF Liria, por as në FFK, ndonëse ishte zgjedhur një herë në vitin 1994 si anëtar kryesie. Nuk pajtohej me shumë gjëra, me investimet, me4 punën, me logjikën që ndjeknin klubet dhe përgjithësisht me rrjedhat e kohës dhe me zhvillimin e ngurt të futbollit të Kosovës. I heshtur dhe i dashur për familjen, për shokë e miq Samiu, rrallë ndonjëherë zinte të bisedonte për futbollin. Natyrisht, me më ëndje bisedonte për kohët e shkuara se sa për të sotmen. Por në dy dekadat e fundit ai befasisht zbulohet si një talent dhe një piktor që kishte mahnitur shumëkend, sepse deri vonë nuk njihej si njëri i paletës me ngjyra dhe me ide realizuese për peisazhet e tij mbresëlënëse sidomos nga Prizreni dhe rrethina ku ai i kishte bartur në bez. Samiu me pikturat e tij pushtoi tregun italian dhe për vjet me radhë nepër qytete të ndryshme i ekspozoi punimet e tia dhe me përfitimet e atjeshme ia doli ta mbajë familjen dhe të ketë një jetë të një standardi të kënaqshëm. Ajo që më së shumti e irritoi dhe që e ka dëshpëruar ishte diegia e shtëpisë së tij gjatë luftës në Prizren. Thoshte se i ishin zhdukur shumë piktura e shumë pasuri dhe ndjehej i vyer për të nisur gjithçka nga fillimi...

Sami Ahmetin do ta kujtojmë gjatë, sepse ishte një nga talentët më të mëdhenj të futbollit, por edhe i pikturimit, për ta kompletuar një fugur që lë vrragë të thella në këto dy rrafshe, në Prizren, në në Kosovë, por dhe më gjerë.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat