Demografët: Shqiptarët mbi 34 për qind në Maqedoni

Maqedonia

Demografët: Shqiptarët mbi 34 për qind në Maqedoni

Më: 26 shtator 2009 Në ora: 11:52

Studiuesit dhe demografët shqiptarë nuk përjashtojnë mundësinë për krijimin e opinionit manipulues dhe skenaret për uljen e përqindjes së shqiptarëve në Maqedoni, para regjistrimit të ardhshëm zyrtar të popullësisë që do të bëhet në vitin 2011

Studiuesit shqiptarë vlerësojnë se dalja në skenë e Lëvizjes Popullore të Maqedonisë dhe VMRO-Partia Demokratike, të cilat kontestojnë 25 për qindshin zyrtar të shqiptarëve në Maqedoni, ka nxjerrur në pah edhe implikimin e Qeverisë aktuale nëpërmjet VMRO-DPMNE. Kjo ndërlidhet me faktin se Lëvizja Popullore është pjesë e koalicionit qeveritar dhe programit të VMRO-DPMNE-së dhe se kjo parti ishte nënshkruese e koalicionit për dalje të përbashkët në zgjedhjet e fundit lokale dhe presidenciale. LPM dhe VMRO-Partia Demokratike kanë dorëzuar edhe kallëzim penal në Prokurorinë Publike kundër siç thuhet sipas tyre falsifikimit të Regjistrimit të vitit 2002, ku shqiptarët zyrtarisht kanë dalur se janë 25 për qind. Sipas këtyre dy partive, numri i shqiptarëve në Maqedoni është vetëm rreth 17 për qind. Studjuesi shqiptar i demografisë, prof.dr. Asllan Selmani ka deklaruar për agjencine e lajmeve INA se qarqe të caktuara politike maqedonase por edhe disa demografë maqedonas po tentojnë të manipulojnë me për qindjen e shqiptarëve. Selmani ka vlerësuar se numri i shqiptarëve në Maqedoni duhet të jetë mbi 30 për qind.

“Nëse marrin rezultatin zyrtar të regjistrimit të vitit 2002, shqiptarët janë 25 për qind, mirëpo numri real i shqiptarëve shkon deri në 34 për qind. Në këtë bazohem edhe në argumentin e fuqishëm se numri i nxënësve shqiptarë në shkollat e mesme është 34 për qind, atëherë edhe numri real i popullësisë shqiptare sillet rreth kësaj për qindje. Por me ardhjen e gjeneratave të reja, vazhdimisht do të kemi rritje të popullësisë shqiptare në Maqedoni, pavarësisht se e dëshiron apo dikush një realitet të tillë”, ka theksuar studjuesi Asllan Selmani, duke shtuar se vetë fakti që Enti Shtetëror Republikan ka botuar, dhe boton çdo vjet statistikën vitale për lindjet dhe vdekjet, shihet shumë qartë se shqiptarët marrin pjesë në shtimin e numrit të përgjithshëm të popullsisë mbi 80 për qind.

Sipas regjistrimeve të vitit 1994, 23 për qind e popullsisë ishte shqiptare, ndërkohë që nga regjistrimi i vitit 2002, numri i shqiptarëve u rrit edhe me 68 mijë, diku 25 për qind. Regjistrimet e ardhshme në vitin 2011 pritet të japin pasqyrën e qartë për përqindjen e shqiptarëve në vend.

Edhe profesori universitar Fadil Sulejmani ka vlerësuar se janë të qarta tendencat e qarqeve politike dhe institucionale maqedonase për manipulimin me shifrat e popullit shqiptar në Maqedoni, që sipas tij, është në rritje e sipër. “Vazhdimisht kanë qenë të manipuluara shifrat sa i përket shqiptarëve në Maqedoni. Ka tendenca për falsifikim të mëtejshëm. Por nga ana tjetër, sikur të realizohet një regjistrim me mbikqyrje të fortë ndërkombëtare, atëherë sigurisht shqiptarët do të jenë afër 40 për qind”, ka theksuar Sulejmani, duke shtuar se në të gjitha periudhat e kaluara janë manipuluar regjistrimet që kanë të bëjnë me realitetin shqiptar në Maqedoni. Në fund të majit të këtij viti u realizua regjistrimi provues i popullësisë, ku janë përfshirë dy mijë amvisëri dhe 10 mijë persona, por që këto shifra nuk do të bëhen publike, por do të shfrytëzohen për qëllime të Entit Shtetëror të Statistikave.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat